Abdixhiku kërkon rinumërim të plotë: LDK ka më së paku parregullsi

E publikuar: 18/01/2026 20:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar sonte për manipulim të votës në disa komuna, duke akuzuar struktura të caktuara se kanë tjetërsuar vullnetin e qytetarëve në dëm të kandidatëve të rinj dhe reformues.

Ai ka shkruar në Facebook se vota nuk u është marrë këtyre kandidatëve për shkak të gabimeve të tyre, por pikërisht sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk i përshtaten një politike të ndërtuar mbi interesa personale, transmeton KosovaPress.

“Parisit, dhe jo vetëm atij, por dhe politikanëve tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi. Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja. Mbi të gjitha, goditet reforma”, shkruan ai.

Ai shprehet i vetëdijshëm se “LDK, krahasuar me të tjerët, ka më së paku shpërputhje dhe parregullsi. Por pikërisht sepse jemi kështu, kemi përgjegjësi të dyfishtë”.

Ai më tej ka shkruar se: “Kjo që po ndodh në disa qytete, nuk është rastësi. Është rezistencë e atyre që e kanë gërryer shtëpinë tonë nga brenda dhe sot duan ta ndalin reformën që nuk e durojnë dot. Sulmi ndaj emrave të rinj e të pastër është sulm ndaj punës tonë pesë vjeçare dhe ndaj vullnetit të mbështetësve që është shprehur qartë me votë të lirë”.

Kryetari Abdixhiku ka paralajmëruar se do të ketë pasoja konkrete pas mbajtjes së Kuvendit të partisë, jo vetëm në aspektin e turpit publik dhe ligjit të Republikës, por edhe përgjegjësi politike brenda vetë partisë.

“Prandaj, pasoja do të ketë. Për to, na prisni pas Kuvendit. Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë”, shkruan ai.

Ndërkohë, sipas tij, institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë pa vonesë dhe pa përjashtim.

“Përgjegjësi sipas ligjit, burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigjen pa hezitim”, shkruan ai.

Për këtë, ai kërkon rinumërim të plotë, në çdo kuti e çdo qytet.

“Dhe për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. Le të inkurajohen ata që kanë vlerësuar mirë, të zbulohen ata që kanë vjedhë. Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet”, shkruan ai.