Avokati i Popullit nxjerr në shitje automjete me çmime deri në 950 euro

E publikuar: 17/01/2026 08:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës ka shpallur ofertë për shitjen e gjashtë veturave zyrtare përmes ankandit publik, duke u dhënë mundësi qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë t’i blejnë ato me çmime relativisht të ulëta, por me defekte teknike të theksuara, raporton Infosot.

Sipas listës zyrtare të publikuar, në ankand janë përfshirë gjithsej gjashtë automjete, pesë prej të cilave janë të markës Hyundai Santa Fe (diesel), ndërsa një veturë është VW Golf 5 (diesel). Të gjitha automjetet janë në gjendje jo funksionale, për shkak se kanë motor të dëmtuar, çka nënkupton se blerësit duhet të llogarisin edhe kosto shtesë për riparim ose përdorim për pjesë këmbimi.

Tre nga veturat Hyundai Santa Fe janë të vitit 2003 dhe ofrohen me çmim fillestar prej 950 euro secila. Një tjetër Hyundai Santa Fe, po ashtu diesel, por i vitit 2002, ka çmim fillestar 830 euro, ndërsa një tjetër i vitit 2003 është në shitje me çmim 900 euro. Automjeti i gjashtë në listë është një VW Golf 5 diesel, i vitit 2008, i cili ofrohet me çmim fillestar 850 euro.

Institucioni ka bërë të ditur se veturat shiten “siç janë”, pra në gjendjen aktuale teknike, pa asnjë garanci për funksionalitetin e tyre. Defekti kryesor i evidentuar për të gjitha automjetet është motori, gjë që i bën ato të papërdorshme për qarkullim të menjëhershëm, pa ndërhyrje serioze mekanike.

Oferta është e hapur për persona fizikë dhe juridikë, të cilët duhet të plotësojnë të dhënat identifikuese, përfshirë emrin, adresën, përfaqësuesin dhe nënshkrimin, sipas formularit përkatës. Çmimi përfundimtar do të përcaktohet përmes ofertave të pranuara në kuadër të ankandit.

Shitja e këtyre automjeteve vlerësohet si pjesë e procesit të largimit nga përdorimi të mjeteve të amortizuara të institucionit.