NASA cakton datën historike për rikthimin e amerikanëve në Hënë, pas 53 vitesh

E publikuar: 14/01/2026 23:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

NASA ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara janë vetëm disa javë larg një rikthimi historik në Hënë, për herë të parë pas më shumë se 50 vitesh.

Agjencia hapësinore bëri të ditur të martën se data më e hershme e mundshme për nisjen e misionit Artemis II – fluturimi i parë me ekuipazh drejt Hënës që nga viti 1972 – është 6 shkurti. Zyrtarët e NASA-s sqaruan se dritarja zyrtare e nisjes do të jetë e hapur nga 31 janari deri më 14 shkurt, me disa data alternative të paracaktuara.

Misioni do të çojë në një udhëtim 10-ditor rreth Hënës dhe kthim në Tokë astronautët amerikanë Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, si edhe astronautin e Agjencisë Hapësinore Kanadeze Jeremy Hansen.

Artemis II nuk parashikon ulje në sipërfaqen e Hënës. Ulja e parë në kuadër të programit Artemis është planifikuar për misionin Artemis III, i cili aktualisht synohet të zhvillohet në vitin 2027.

Nisja e Artemis II nuk mund të ndodhë në çdo ditë. Ajo varet nga faktorë shumë të saktë, si pozicionimi i Tokës dhe Hënës, performanca e raketës dhe kushtet e motit pranë Qendrës Hapësinore Kennedy në Florida. Si data rezervë janë përzgjedhur 7, 8, 10 dhe 11 shkurti, ndërsa në rast se nisja nuk realizohet në shkurt, NASA ka identifikuar edhe data në fillim të marsit dhe prillit.

Ky mision do të jetë fluturimi i parë me njerëz përtej orbitës së ulët të Tokës pas 53 vitesh. Astronautët do të nisen nga Cape Canaveral me anijen Orion, të transportuar nga raketa e fuqishme Space Launch System (SLS).

Fillimisht, Orion do të rrotullohet disa herë rreth Tokës për të testuar sistemet e mbështetjes së jetës, përpara se të drejtohet nga Hëna për një kalim të afërt (flyby), pa hyrë në orbitë dhe pa ulje. Anija do të përdorë gravitetin e Hënës për t’u kthyer drejt Tokës në një trajektore të ashtuquajtur “free-return”, që lejon kthim të sigurt edhe në rast problemesh, pa nevojë për ndezje shtesë të motorëve.

Qëllimi kryesor i Artemis II është të provojë se raketa, anija dhe të gjitha sistemet funksionojnë në mënyrë të sigurt me ekuipazh njerëzor, duke hapur rrugën për uljen e Artemis III.

NASA pritet të nisë fazën e parë të përgatitjeve finale që më 17 janar, me transportimin e raketës së montuar plotësisht nga ndërtesa e montimit drejt platformës së nisjes 39B. Ky proces, i njohur si “rollout”, realizohet me një transportues gjigant dhe mund të zgjasë deri në 12 orë për një distancë prej rreth katër miljesh.

Pasi raketa të vendoset në platformë, ekipet do të lidhin linjat e energjisë dhe karburantit, do të kryejnë testime përfundimtare dhe më pas astronautët do të bëjnë inspektimet e fundit. NASA do të zhvillojë gjithashtu një “provë të lagësht” (wet dress rehearsal), ku raketa mbushet me mbi 700 mijë galonë hidrogjen dhe oksigjen të lëngshëm, si dhe simulohet numërimi mbrapsht i nisjes.

Këto prova shërbejnë për të testuar procedurat e furnizimit me karburant dhe për të identifikuar çdo problem të mundshëm teknik. Nëse zbulohen defekte, nisja mund të shtyhet për testime shtesë.

Në shtator 2025, ish-administratori i NASA-s, Sean Duffy, deklaroi publikisht se rreth “një vit e gjysmë” pas Artemis II, misioni Artemis III synon të ulet në Hënë dhe të vendosë një prani afatgjatë njerëzore, të udhëhequr nga SHBA. Ai theksoi se përvoja e fituar nga rikthimi në Hënë do të shërbejë si hap kyç drejt objektivit afatgjatë për të dërguar astronautë amerikanë në Mars.