Sot, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë (SHBA) ka uruar Vitin e Ri 2026 me një mesazh drejtuar qytetarëve në Kosovë, miqve dhe partnerëve, duke veçuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe vlerat e përbashkëta mes dy vendeve mike.
Kjo ambasadë në urimin e saj shprehu shpresën që viti i ardhshëm të sjellë zhvillim, paqe dhe progres për të gjithë.
“Ndërsa mirëpresim vitin 2026, u dërgojmë urimet tona më të ngrohta të gjithë miqve dhe partnerëve tanë në Kosovë. Urojmë që viti që vjen të sjellë paqe, prosperitet dhe progres të përbashkët. Gëzuar Vitin e Ri nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së në Pristinë”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë.
Ndërkaq, përmes një video-mesazhi të realizuar nga stafi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, u përmend bashkëpunimi i ngushtë i zhvilluar gjatë vitit që po mbyllet, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit të sektorit privat në Kosovë. Në këtë kontekst, u theksua edhe roli i kompanive amerikane që kanë investuar në Kosovë.
Micah Savidge, shef i njësitit ekonomik në Ambasadën e Amerikës theksoi se këto partneritete kanë kontribuar drejtpërdrejt në zgjerimin e mundësive ekonomike.
Ndërsa, Kevin Miles drejtor për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, theksoi progresin e arritur në fushën e sigurisë, duke përmendur bashkëpunimin me institucionet përkatëse të Kosovës.
Ndryshe, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, të hënën ka bërë të ditur se ekonomia e Kosovës pritet të mbyllë vitin me rritje prej 3.9 për qind.
Këtu mund të ndiqni video-mesazhin e plotë të Ambasadës së SHBA-së:


















