Nuk e kaloi pragun, vjen reagimi i parë i Limajt: Kjo nuk ka qenë një rrugë e lehtë, por e drejtë

E publikuar: 31/12/2025 10:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, në një deklaratë në Facebook ka falënderuar votuesit e tij, ndërsa tha se rruga që ka ndjekur ka qenë “e drejtë”.

Me rezultatet aktuale, Nisma e Limajt s’arriti të kalojë pragun për t’u bërë pjesë e Parlamentit.

Ai tha se “kjo garë u zhvillua në rrethana të veçanta dhe me një mobilizim të jashtëzakonshëm” dhe tha se viti i ardhshëm do të ketë më shumë punë për partinë e tij.

“Çdo votë është amanet. Çdo përkrahës është forcë. Kjo është një etapë që na obligon të jemi edhe më të përgatitur. Ajo që kemi ndërtuar deri këtu nuk ndalet, por forcohet”.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Kosovës, miq, përkrahës dhe bashkudhëtarë të kësaj rruge,

Në këtë fundvit, ju falënderoj nga zemra për çdo votë, për çdo mbështetje dhe për çdo rreshtim të ndershëm në këtë rrugë që e bëmë bashkë.

Kjo nuk ka qenë një rrugë e lehtë.

Por ka qenë e drejtë.

Dhe ajo që ka më shumë vlerë se çdo rezultat është fakti se kemi qëndruar drejt, me kokën lart dhe me besim në atë që përfaqësojmë.

Kjo garë u zhvillua në rrethana të veçanta dhe me një mobilizim të jashtëzakonshëm.

Por përtej çdo shifre, ajo që mbetet është mbështetja juaj dhe bindja jonë se kjo rrugë ka kuptim dhe vazhdimësi.

Teksa mbyllim një vit të vështirë dhe hyjmë në një vit të ri, dua ta them qartë: viti që vjen na pret me punë, me organizim dhe me përgjegjësi edhe më të madhe.

Na pret me përkushtim dhe me ecje të sigurt drejt qëllimeve tona.

Ne mbetemi të bindur se Kosova ecën përpara vetëm me bashkim, me pjekuri dhe me një vizion të qartë për të ardhmen.

Prandaj, nuk kemi asnjë arsye të ulim kokën.

Çdo votë është amanet.

Çdo përkrahës është forcë.

Kjo është një etapë që na obligon të jemi edhe më të përgatitur.

Ajo që kemi ndërtuar deri këtu nuk ndalet, por forcohet.

Ju uroj shëndet, paqe dhe mbarësi në familjet tuaja.

Ju uroj një Vit të Ri me shpresë, energji të re dhe besim në Kosovën tonë.

Ne vazhdojmë. Bashkë.

Me vendosmëri!

Gëzuar Vitin e Ri!