George Clooney ka marrë shtetësinë franceze, së bashku me bashkëshorten e tij Amal Clooney dhe dy fëmijët e tyre, sipas një dekreti zyrtar të publikuar në gazetën qeveritare të Francës.
Publikimi konfirmon një ambicie për të cilën Clooney kishte lënë të kuptohej në fillim të dhjetorit, kur ai vlerësoi ligjet franceze të privatësisë që e mbajnë familjen e tij të mbrojtur nga paparacët.
“E dua kulturën franceze, gjuhën tuaj, edhe pse jam ende i dobët në të pas 400 ditësh kursesh”, tha aktori atëherë për radion RTL – në anglisht.
“Këtu nuk u bëjnë fotografi fëmijëve. Nuk ka paparacë të fshehur te portat e shkollave. Kjo është gjëja numër një për ne” – tha ai.
Tani qytetar me shtetësi të dyfishtë amerikane dhe franceze, Clooney ka një lidhje të hershme me Europën, që i paraprin martesës së tij në vitin 2014 me bashkëshorten, një avokate britaniko-libaneze e të drejtave të njeriut, e cila flet rrjedhshëm frëngjisht.
Clooney zotëron një pronë në rajonin e Liqenit të Komos në Itali, të blerë në vitin 2002, dhe ai dhe bashkëshortja e tij kanë blerë gjithashtu një rezidencë historike në Angli.
Prona e tyre në jug të Francës – një ish-pasuri vere e quajtur Domaine du Canadel, pranë fshatit Brignoles – u ble në vitin 2021.
Ata zotërojnë gjithashtu një apartament në Nju Jork dhe një pronë në Kentucky, por raportohet se gjatë dekadës së fundit kanë shitur shtëpitë në Los Anxhelos dhe në Meksikë.
Çifti janë prindër të binjakëve tetëvjeçarë.
Clooney i tha radios RTL se, megjithëse familja udhëton shpesh, shtëpia e tyre në Francë “është vendi ku jemi më të lumtur”.
Clooney është gjithashtu regjisor dhe producent, dhe ka fituar dy çmime Oscar: një për aktorin më të mirë dytësor në filmin Syriana (2006) dhe një tjetër si producent për Argo (2012).
Clooney nuk është i vetmi personazh i Hollivudit që kërkon shtetësinë franceze. Regjisori amerikan Jim Jarmusch i tha të premten radios France Inter se edhe ai planifikon të aplikojë për shtetësinë franceze.
“Do të doja një vend që të më lejojë të largohem nga Shtetet e Bashkuara” – tha ai, duke shtuar se e tërheq edhe kultura franceze.

















