DnV tregon në cilin qytet pati dalje më të lartë të qytetarëve për të votuar

E publikuar: 28/12/2025 18:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Eugen Cakolli, në konferencën e radhës të Demokracisë në Veprim (DnV), e cila po vëzhgon zgjedhjet e sotme, ka prezantuar të dhënat mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Ai tha se dalja e qytetarëve në votime është pothuajse e njëjtë me atë të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Tani që kanë kaluar dhjetë orë nga hapja e vendvotimeve, po vërehet një interesim më i lartë i qytetarëve për të votuar, ndërsa procesi në përgjithësi po rrjedh i qetë. Dalja në votime, sipas vëzhguesve të DnV-së, deri në orën 17:00 është rreth 38.9%. Për krahasim, në intervalin e njëjtë kohor gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, dalja ishte rreth 39%. Rajonet me dalje më të madhe janë komunat me shumicë serbe me 47%, të pasuara nga rajoni i Prishtinës me 43%”, theksoi ai.

Cakolli bëri të ditur se edhe në pjesën e dytë të ditës janë shënuar raste kur votuesit janë gjendur në vendvotime joadekuate.

“Nga hapja e vendvotimeve deri në orën 17:00, këto vështirësi janë raportuar në 70% të vendvotimeve, ndërsa në 15% të tyre kjo dukuri është shfaqur deri në 30 raste”, tha ai.

Sipas tij, trendi i votimit me asistencë ka mbetur përgjithësisht i njëjtë që nga mëngjesi, megjithëse është shtrirë në më shumë vendvotime.

“Nuk janë përjashtuar rastet e mosevidentimit të votimit me asistencë, të raportuara në 9% të vendvotimeve, deri në 10 raste. Komisionerët në 75% të vendvotimeve kanë vazhduar të kërkojnë dokumente mjekësore nga të gjithë qytetarët që kanë kërkuar të votojnë me ndihmën e dikujt tjetër. Për më tepër, në 55% të vendvotimeve është raportuar insistim i votuesve”, tha ai.

Cakolli shtoi se deri në orën 17:00 janë hasur edhe raste të votimit me dokumente me afat të skaduar.

“Raste të tilla janë raportuar në 30% të vendvotimeve, deri në 5 raste. Gjithashtu, në 10% të vendvotimeve janë evidentuar deri në 4 raste kur votuesit janë identifikuar me dokumente jo valide”, theksoi ai.

Ai foli edhe për cenimin e fshehtësisë së votës.

“Edhe pse në përmasa të vogla, cenimi i fshehtësisë së votës, i manifestuar përmes fotografimit të votës, po vazhdon të shfaqet edhe në këto zgjedhje. Fotografimi dhe publikimi i votës dyshohet se lidhet me blerjen e votës, frikësimin e votuesve dhe shtrembërimin e vullnetit të tyre”, tha Cakolli.

Sipas tij, deri në orën 17:00 janë raportuar gjithsej 21 raste të izoluara të fotografimit të votës, të hasura në 3% të vendvotimeve.

Sa i përket incidenteve serioze, ai bëri të ditur se dy orë para përmbylljes së procesit të votimit janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në të paktën dy qendra votimi, ndërsa në një vendvotim është raportuar se kodet në fletëvotime nuk po përputhen./EO