Një përplasje verbale mes një mërgimtari dhe komisionerëve ka ndodhur në qendrën e votimit “Agim Ramadani” në Zhegër.
Menaxheri i kësaj qendre bëri të ditur se i njëjti ka hyrë në vendvotim, duke tentuar të asistoi për nënën e tij të moshuar, duke mos pasur dokumentin e nevojshëm i cili lejon asistimit.
Sipas menaxherit, pasi kjo nuk i është lejuar, ai ka kërkuar që të votojë për nënën e tij, gjë e cila poashtu nuk i është lejuar dhe ai duke e ngritur zërin e ka përsëritur kërkesën, duke e bllokuar derën e hyrjes.
“Papritmas erdhi një qytetar, votues (mërgimtar), i cili hyri në qendrën e votimit (01) edhe tentoi të asistonte për nënën e tij të moshuar, mirëpo në momentin që ka insistuar kryesuesi nuk ka lejuar që të asistojë për nënën. Nuk ka pasur dokumentacion valid e që e lejon asistencën, e kështu që sipas KQZ-së kjo është e palejueshëm të votojë apo asistojë. Pra pas votimit të vet ai insistoj që të votonte për nënën e tij, e kjo s’u lejua”, deklaroi Agushi.
Ai tha se me këtë rast po merren tanimë edhe institucionet përkatëse.
“Ai tentoi që me ngritje të zërit të votojë, e kështu që e ka blloku për dy-tre minuta edhe derën e hyrjes së vendvotimit, e kështu u thirrën policia dhe gjendja u kthye në normalitet. Është larguar nga vendvotimi, pak më herët patëm edhe Prokurorinë që morën disa shënime e disa dëshmitarë”.
Në lidhje me këtë rast është njoftuar policia, të cilët e kanë larguar mërgimtarin nga vendvotimi.


















