Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se me fillimin e votimit në SHBA dhe Kanada, procesi tashmë po zhvillohet në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Votimi po mbahet në 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete dhe, sipas KQZ-së, po zhvillohet pa asnjë pengesë.
“Me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, ju njoftojmë se tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës. Pra, procesi i votimit është duke u zhvilluar në 29 përfaqësitë diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Nga komunikimi i vazhdueshëm me qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike, procesi i votimit është duke u zhvilluar pa ndonjë pengesë. Sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 36.89% apo 7.079 votues”, ka deklaruar Elezi.
Deri në orën 13:00, nga 19,187 votues të regjistruar në 24 përfaqësi diplomatike, kanë votuar 7,079 persona apo 36.89 për qind.
Elezi theksoi se sot, më 27 dhjetor 2025, mund të votojnë vetëm qytetarët e regjistruar për këtë mënyrë votimi, ndërsa identifikimi lejohet edhe me dokumente të skaduara të Republikës së Kosovës.
“Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë sot, më 27 dhjetor 2025, pasi në listën votuese e cila është dërguar në përfaqësi dipomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (26 nëntor – 6 dhjetor 2025). Gjithashtu, identifikimi në vendvotimin e përfaqësisë diplomatike mund të bëhet përmes njërit nga tri dokumentet e Republikës së Kosovës: Letërnjoftim, pasaporte apo leje e vozitjes. Sipas vendimit të KQZ-së, pranohen për identifikim këto dokumente edhe nëse janë me afat të skaduar”, theksoi ai.

















