Pjesëtarët e Operacioneve Speciale të FSK-së përfundojnë me sukses trajnim intensiv në xhunglat e Belizes

E publikuar: 26/12/2025 16:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komandanti i FSK-së priti në takim pjesëtarët e Operacioneve Speciale të cilët përfunduan me sukses trajnimin në xhunglat e Belizes.

Kjo u bë si pjesë e programit përgatitor për operacione në mjedise të vështira dhe komplekse, pjesëtarët e Operacioneve Speciale, në bashkëpunim me njësitë Parashutiste nga Ushtria e Mbretërisë së Bashkuar, përfunduan me sukses një trajnim intensiv në xhunglat tropikale në Belize.

Nga FSK kanë njoftuar se “Trajnimi kishte për qëllim zhvillimin e aftësive për mbijetesë, lëvizje taktike dhe operime efektive në kushte ekstreme. Gjatë stërvitjes, trupat u përballën me terren të dendur, klimë të ashpër dhe lodhje të vazhdueshme – elemente që testojnë çdo aspekt të përgatitjes fizike dhe mendore. Me këtë rast Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti kontingjentin e FSK-së që ishte pjesë e këtij trajnimi dhe i përgëzoi për sukseset e treguara në këtë trajnim sfidues.  Ky aktivitet përforcoi disiplinën, qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin mes pjesëtarëve, duke dëshmuar aftësinë e tyre për të vepruar me profesionalizëm dhe vendosmëri në çdo mjedis operacional”.