Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për Kosovën dhe raportin mes dy Kombëtareve në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, duke vlerësuar zhvillimin dhe arritjet e përfaqësueses kosovare. Ai theksoi se “përfaqësuesja e Kosovës ka një skuadër të mirë”, duke nënvizuar faktin se disa nga lojtarët kryesorë, si “Rrahmani, Rashica, Muriqi”, kanë qenë më herët pjesë edhe e Kombëtares shqiptare, gjë që sipas tij tregon cilësinë e brezit të futbollistëve.
Duke krahasuar dy ekipet, Duka u shpreh hapur: “Shqipëria apo Kosova? Ne jemi më të mirë se Kosova. Por Kosova ka futbollistë të mirë, është në play-off.” Ai e cilësoi këtë si një arritje të madhe për Kosovën, duke pasur parasysh historinë e shkurtër dhe mungesën e eksperiencës ndërkombëtare, ndërsa shtoi se “të shkosh në play-off është një sukses i madh” dhe një moment që duhet shfrytëzuar për të vazhduar ëndrrën drejt Botërorit.
Në fund, presidenti i FSHF-së preku edhe temën e një Kombëtareje të përbashkët, duke theksuar bindjen e tij personale:
“Ne duhet të kemi një Kombëtare.”
Megjithatë, ai sqaroi se kjo nuk është një çështje në dorën e individëve, duke nënvizuar realitetin aktual: “Për sa kohë jemi dy shtete më një komb, do kemi dy ekipe, dy kampionate.”
Sipas Dukës, një bashkim do sillte përfitime më të mëdha në çdo aspekt, jo vetëm në futboll, por deri atëherë, rruga e secilës Kombëtare mbetet e ndarë.


















