Një hetim i gjerë i “The New York Times” ka zbuluar se programi amerikan i shkëmbimit kulturor J-1, i cili zyrtarisht synon t’u ofrojë të rinjve nga e gjithë bota përvojë kulturore dhe profesionale në ShBA, është shndërruar në një skemë fitimprurëse për disa organizata sponsorizuese, shpesh në kurriz të vetë pjesëmarrësve.
Mes dhjetëra rasteve të përmendura është edhe ai i Ema Kurshumlijas, studente nga Kosova, e cila në vitin 2018 pagoi rreth 2,000 dollarë amerikanë (afërsisht 1,850 euro) për të siguruar një praktikë profesionale në New York, transmeton Klankosova.tv.
“Na u premtua një përvojë e bukur, pothuajse ideale”, ka deklaruar Kurshumlija. “Por kur pamë se çfarë na priste në të vërtetë, ishte një surprizë e madhe”.
Sipas saj, në vend të trajnimit profesional, ajo dhe studentë të tjerë u përballën me mungesë përgatitjeje, javë pune deri në 60 orë, si dhe punë të rënda fizike që kishin pak ose aspak lidhje me zhvillimin akademik apo kulturor.
Sponsorë që përfitojnë miliona
Hetimi tregon se disa organizata sponsorizuese kanë arkëtuar miliona dollarë përmes tarifave të larta, ndërsa drejtuesit e tyre janë paguar me shuma marramendëse. Një drejtues organizate ka përfituar mbi 1 milion dollarë në vit (rreth 925 mijë euro), ndërsa një tjetër është paguar më shumë se 520 mijë dollarë në vit (afërsisht 480 mijë euro).
Në raste të tjera, familjarë të drejtuesve janë futur në listat e pagave, duke përfituar mbi 1 milion dollarë në dy vjet (rreth 925 mijë euro). Sponsorë të tjerë kanë krijuar kompani anësore, si sigurime shëndetësore, duke i detyruar studentët t’i blejnë shërbimet e tyre me pagesa shtesë deri në 100 dollarë në muaj (rreth 92 euro).
“Është një konflikt i madh interesi që sponsorët të jenë njëkohësisht rekrutues dhe mbikëqyrës të zbatimit të ligjit të punës”, ka thënë Daniel Costa nga Instituti i Politikave Ekonomike.
Premtime të rreme dhe kushte të rënda pune
Pjesëmarrës nga vende të ndryshme kanë deklaruar se kanë paguar tarifa deri në 5,000 dollarë (rreth 4,600 euro) për “mundësi unike”, por janë dërguar në fabrika, ferma apo ambiente industriale me kushte të rrezikshme, pa trajnim dhe pa mbrojtje adekuate.
Disa prej tyre kanë përshkruar përvojën si “të ngjashme me skllavërinë”, ndërsa sponsorët, sipas ankesave dhe padive gjyqësore, shpesh kanë injoruar thirrjet për ndihmë ose kanë mbajtur anën e punëdhënësve.
Përvoja të ngjashme nga studentë të tjerë
Rasti i studentes nga Kosova nuk është i vetmi. Dongho Kang, student nga Koreja e Jugut, ka deklaruar se pagoi rreth 5,000 dollarë (afërsisht 4,600 euro) tarifa përmes sponsorit J-1 Visa Exchanges, pasi ishte joshur nga materiale promovuese që e përshkruanin programin si një “mundësi një herë në jetë”.
Në vend të praktikës së premtuar, ai u dërgua në një fabrikë çeliku në Indiana, ku, sipas padisë që ka ngritur, iu desh të pastronte depozita septike, pa trajnim dhe në kushte të rrezikshme. Kur u ankua, sponsori, sipas tij, nuk ndërmori asnjë veprim, ndërsa ai përfundimisht u pushua nga puna.
Një tjetër rast i rëndë lidhet me Leander Weig, student gjerman i inxhinierisë bujqësore, i cili pagoi rreth 900 dollarë (rreth 830 euro) për një praktikë në një fermë në Oklahoma. Gjatë punës, ai pësoi një aksident serioz kur një gomë kamioni shpërtheu, duke i shkaktuar një dëmtim të rëndë në kokë. Weig u kthye në Gjermani me pasoja të përhershme shëndetësore, përfshirë humbje dëgjimi dhe vështirësi në të folur.
“Ishim thjesht punëtorë me çmime të lira”, ka deklaruar ai, duke theksuar se kishte besuar se sponsori do ta mbronte.
Qeveria amerikane nën kritika
Edhe pse Departamenti i Shtetit ka pranuar se ndër vite ka pasur abuzime dhe konflikte interesi brenda programit J-1, kritikat kryesore janë se reagimi ka qenë i pamjaftueshëm. Ndryshe nga programet e tjera të vizave të punës, për J-1 nuk ka kufizime për tarifat që sponsorët mund të kërkojnë nga aplikantët.
Sot, mbi 300 mijë persona në vit hyjnë në ShBA me vizë J-1, një rritje e ndjeshme krahasuar me rreth 65 mijë në vitet ’80.



















