Kryetarja e Bashkisë së Los Angelesit, Karen Bass, ka shpallur gjendjen e emergjencës lokale pasi reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje masive, rrëshqitje dherash dhe mbyllje të rrugëve kryesore në disa zona të Kalifornisë Jugore. Mijëra banorë u zgjuan mëngjesin e Krishtlindjes me mesazhin për evakuim, ndërsa stuhitë e fuqishme dimërore vijojnë të godasin rajonin.
Sipas autoriteteve, disa pjesë të Qarkut të Los Angelesit kanë regjistruar mbi 28 centimetra reshje shiu brenda pak ditësh, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për mbi 61 mijë banorë. Shërbimi Kombëtar Meteorologjik paralajmëron se kushtet “kërcënuese për jetën” mund të zgjasin edhe gjatë ditëve në vijim, me rrezik të lartë për përmbytje të menjëhershme.
Karen Bass theksoi se reshjet intensive mbi toka tashmë të ngopura, të dëmtuara nga zjarret e vitit të kaluar, kanë rritur ndjeshëm rrezikun për komunitetet. “Jetët dhe pronat janë në rrezik të madh”, u shpreh ajo, duke nënvizuar se të gjitha burimet e qytetit janë vënë në dispozicion për emergjencën.
Gjendje emergjence është shpallur edhe nga autoritetet e qarkut dhe nga guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë kryer dhjetëra operacione për largimin e civilëve nga ujërat e rrëmbyeshëm.



















