Aksident trafiku në rrugën Mitrovicë-Leposaviq, e përfshirë edhe një veturë e policisë, lëndohen 5 persona – detaje

E publikuar: 24/12/2025 12:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në rrugën nacionale Mitrovicë – Leposaviq.

Nga policia është theksuar edhe se, në aksident janë përfshirë një veturë e policisë dhe një veturë civile, ku mes të lënduarve janë 2 policë dhe 3 qytetarë.

‘’Rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Lidhur me këtë rast është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës’’, thuhet nga Policia.

Njoftimi:

Aksident trafiku me të lënduar në rrugën nacionale Mitrovicë–Leposaviq

Mitrovicë Veri , 24.12.2025

Me datë 24.12.2025, rreth orës 09:23, Policia e Kosovës është informuar për një aksident trafiku në rrugën nacionale Mitrovicë–Leposaviq, përkatësisht në fshatin Rudar.

Fillimisht, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Jug, për arsye se thirrja telefonike kishte kaluar në drejtorinë e tyre. Të njëjtit i janë përgjigjur thirrjes, ku në atë lokacion kanë dalë gjithashtu njësitë e zjarrfikësve si dhe stafi mjekësor emergjent nga qyteti i Mitrovicës së Jugut.

Më pas, për shkak se kjo zonë i përket zonës së përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor Mitrovicë Veri, stafi mjekësor dhe zjarrfikësit nga zona e përgjegjësisë së Mitrovicës së Veriut.

Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një automjet civil me targa vendore dhe një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës.

Si pasojë e aksidentit, lëndime kanë pësuar pesë (5) persona, tre (3) nga automjeti civil dhe dy (2) zyrtarë policorë, të cilët janë duke pranuar trajtim mjekësor.

Rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Lidhur me këtë rast është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve dhe të respektojnë rregullat e trafikut.