Për shkak të mjegullës së dendur janë anuluar të gjitha fluturimet e mëngjesit nga Aeroporti i Shkupit. Janë anuluar fluturimet e kompanisë ajrore “Wizz Air” nga Shkupi drejt Dortmundit, Brukselit, Parisit, Lubjanës, Bazelit, Memingenit dhe Venecias. Është anuluar gjithashtu edhe fluturimi drejt Zagrebit i “Croatia Airlines”, si dhe ai drejt Stambollit i “Turkish Airlines”.
Aktualisht, në aeroportin e Shkupit nuk ndodhet asnjë avion. Asnjë nga gjashtë avionët e “Wizz Air” që janë të stacionuar në bazën e Shkupit nuk ka arritur të ulet dje në aeroportin e Shkupit. Për shkak të mjegullës, avionët janë devijuar drejt aeroporteve në Prishtinë, Sofje, Tiranë, Selanik dhe Ohër.
Ekuipazhet e “Wizz Air” këtë mëngjes kanë udhëtuar drejt aeroporteve ku avionët u ulën dje dhe prej andej do të fluturojnë drejt disa prej destinacioneve që u anuluan në mëngjes, për të marrë pasagjerët e fluturimeve drejt Shkupit.
Për shkak të mjegullës shumë të dendur, dje në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit u ulën vetëm tre avionë dhe vetëm ata arritën të nisen pasdite, kur kushtet e motit u përmirësuan pak. Fluturimet e tjera u anuluan, ndërsa avionët që duhej të uleshin u devijuan.
Dukshmëria ra në më pak se 100 metra, çka është shumë nën standardet për ulje instrumentale në kategorinë më të ulët 1, e cila është në përdorim në Aeroportin e Shkupit.
Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit theksojnë se, pavarësisht kushteve të motit, aeroporti është vazhdimisht i hapur dhe stafi është i gatshëm të pranojë, shërbejë dhe përcjellë avionët dhe pasagjerët, shkruan ALSAT.M.
“Në faqen zyrtare të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit https://skp.airports.com.mk/ të gjitha ndryshimet në orarin e rregullt të fluturimeve përditësohen në kohë reale, sapo informacionet mbërrijnë në sistemet tona. Sporteli i informacionit funksionon 24/7 me personel të pranishëm në aeroport, ndërsa pa ndërprerje funksionon edhe linja telefonike me numrin +389 2 3148 333, ku pasagjerët mund të informohen për statusin e fluturimeve të tyre”, njoftojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.
Sipas parashikimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (UHM), në Shkup edhe në tre ditët e ardhshme pritet mot pjesërisht me vranësira dhe paraqitje të mjegullës.
















