Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e së shtunës në Ferizaj, ku një person është gjetur pa shenja jete në automjetin e tij, në afërsi të tregut të gjelbër, mëson Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 20 dhjetor 2025, rreth orës 15:30, në rrugën “Tahir Guri”, ku sipas informatave, viktima Mehdi Budakova, 65-vjeçar, është gjetur i shtrirë pa shenja jete brenda veturës së tij të tipit kombi, ngjyrë e kuqe.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipi i emergjencës mjekësore, të cilët pas ekzaminimit kanë konstatuar vdekjen e personit. Zona është siguruar nga policia, ndërsa në vendngjarje kanë dalë edhe njësia e Hetimeve të Stacionit Policor dhe hetuesit rajonalë.
Sipas mjekut kujdestar, vdekja është cilësuar si natyrale, pa shenja dhune apo rrethana të dyshimta.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Vdekje Natyrale”, ndërsa trupi i pajetë i viktimës u është dorëzuar familjarëve për procedurat mortore.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim te qytetarët që ndodheshin përreth, ngaqë nuk dihej shkaku i vdekjes.
















