Drogë në një lokal në Shtërpcë, i dyshuari tenton ta hedhë nga dritarja por përfundon në ndalim 48 orë

E publikuar: 21/12/2025 11:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një aksion policor i zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Shtërpcë ka çuar në arrestimin e një personi të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me narkotikë, mëson ekskluzivisht Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 20 dhjetor 2025, rreth orës 21:30, kur hetuesit e Njësisë Rajonale, në asistim të Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH), kanë realizuar një kontroll-bastisje në lokalin “Peter Pan”, pas dyshimeve se aty po ushtrohej veprimtari e paligjshme.

Sipas informatave, në momentin kur Policia ka hyrë në lokal, i dyshuari Aleksandar Stanisavljevic ka tentuar të asgjësojë provat, duke hedhur nga dritarja dy pako cigaresh, brenda të cilave ndodhej substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, e ndarë në disa qese najloni.

Pas sigurimit të provave, i dyshuari është arrestuar në vend dhe rasti është proceduar nga DHTN-Ferizaj, e cila ka njoftuar Prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda.

Me urdhër të Prokurorit, është autorizuar marrja në pyetje e të dyshuarit dhe është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Në cilësi të provës materiale janë konfiskuar: një pako cigaresh “SOBRANIE” me 6 qese të mbështjella me foli najloni, që përmbanin substancë të dyshuar narkotike – kokainë, me peshë 3.1 gram dhe një pako tjetër cigaresh “SOBRANIE” me 2 qese të mbështjella me foli najloni, me substancë të dyshuar narkotike – kokainë, me peshë 12.8 gram

Provat materiale janë fiksuar dhe tërhequr në vendin e ngjarjes nga Njësia e Forenzikës Rajonale-Ferizaj, ndërsa hetimet për këtë rast janë në vazhdim.