Kandidati për deputet nga AAK, Gazmend Syla ka kritikuar ish-boksierin, Luan Krasniqi duke thënë se “do të kujtohet vetëm si trim i ringut e frikacak i luftës për vendin e tij”.
Syla krahasoi Krasniqin me kampionin e botës në boks, Wladimir Klitschko, i cili veshi uniformën ushtarake për të ju bashkuar luftës në Ukrainë.
Syla kritikoi Luan Krasniqin duke shtuar se boksieri kishte 27 vjet dhe ishte në kulmin e tij në ring, por që nuk iu bashkua luftës në Kosovë.
Postimi:
Trimëria e munguar përtej ringut!
Ndoshta ish-boksieri, Luan Krasniqi, edhe beson se ështe epoka e Albin Kurtit, por e ndjejë si obligim moral ta them se kjo është edhe epoka e së vërtetes për Kosovën dhe në këtë të vërtet të madhe Luan Krasniqi do të kujtohet vetëm si trim i ringut e frikacak i luftës për vendin e tij.
Kampioni i padiskutueshëm i botës ne boks, Wladimir Klitschko, në kulmin e famës dhe pasurisë, nuk hezitoi të vishte uniformën ushtarake për të mbrojtur Ukrainën. Ky gjest na kthen prapa në vitin 1998/1999, në kohën e luftës në Kosovë, dhe na shtyn të bëjmë një krahasim të dhimbshëm.
Në vitin 1998/1999, Luan Krasniqi ishte ndoshta rreth 27 vjeç, në kulmin e fuqisë së tij fizike, ndërsa bashkëmoshatarët e tij linin Gjermaninë, Zvicrën e diasporën për t’u rreshtuar në radhët e UÇK-së, Luani zgjodhi të vazhdonte karrierën nën dritat e projektorëve të sallave luksoze të boksit.
Perderisa, Klitschko nga Ukraina tregon se titujt e botës nuk vlejnë asgjë nëse shtëpia jote digjet dhe populli yt vritet, Luani Krasniqi, fatkeqësisht në momentin më kritik për ekzistencën tonë, mbeti thjesht një sportist i suksesshëm në komoditetin e Evropës.
Është e lehtë të bëhesh ‘patriot’ pasi lufta mbaron por, patriotizmi i vërtetë matet atëherë kur kushtrimi thërret. Klitschko na tregoi se si një kampion bëhet hero kombëtar, Luani, për fat të keq, mbeti vetëm një boksier i mirë që zgjodhi karrierën dhe luksin para pushkës për lirinë e vendit.
Historia nuk harron, disa luftuan për liri, e disa boksuan për emer, pasuri e statistika.

















