Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim elektoral në Junik për fushatën zgjedhore. Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku premtoi investime dhe me theks të veçantë përmendi ato për familjet.
Në fjalën e tij, Abdixhiku tha se vendi ka humbur vite në populizëm e që sipas tij është momenti i duhur për të folur seriozisht për vendin.
“Juniku nuk ka qenë kurrë spektator i historisë së Kosovës; ka qenë pjesëmarrës, mbajtës dhe mbrojtës i saj. Është vend që ka ditur të qëndrojë drejt edhe kur kohët kanë qenë të shtrembra.
Prandaj sot, pas një viti të humbur në krizë kushtetuese dhe pas katër vitesh të humbura në populizëm, është e natyrshme që të vijmë këtu për të folur seriozisht për shtetin. Jo për zhurmë. Jo për improvizim. Por për drejtim. Për përgjegjësi. Për kthimin e Kosovës në normalitet. Sot Kosova nuk është thjesht në vështirësi ekonomike. Sot Kosova është në krizë besimi. Besimi i qytetarit te shteti është lënduar rëndë. Institucionet janë bllokuar, Kushtetuta është shkelur, vendimmarrja është personalizuar dhe partneritetet tona ndërkombëtare janë dobësuar. Për herë të parë pas luftës, qytetari ndjen se shteti nuk i rri më pranë, por i rri përballë. Këtë e ndieni edhe këtu në Junik. E ndieni në familje që përballen me çmime gjithnjë e më të larta. E ndieni në të rinj që nuk shohin perspektivë dhe ikin. E ndieni në bujqësi të lënë pas dore, në biznese të vogla pa siguri, në një Dukagjin që ka potencial të jashtëzakonshëm, por që është harruar nga qeverisja qendrore. Dhe kjo nuk është rastësi. Është pasojë e një politike që ka vënë propagandën para punës dhe konfliktin para shtetit”, tha ai.
Abdixhiku përmendi edhe importin e energjisë elektrike dhe e quajti dështim.
“Në këto katër vite, Kosova ka djegur afro një miliard euro vetëm në import të energjisë elektrike. Para publike të djegura, që sot do të kishin mjaftuar për spitale të reja, për shkolla, për paga më të mira dhe për zhvillim real në çdo komunë, përfshirë Junikun. Ky nuk është vizion. Ky është dështim. Prandaj sonte, këtu në Junik, nuk po nisim thjesht një fushatë partiake”, theksoi Abdixhiku.Kreu i LDK-së u shpreh se kanë propozuar Ministrinë e Familjes dhe u zotua se për çdo fëmijë të porsalindur do të përfitojnë nënat nga 200 për çdo muaj për një vit.“Po nisim fushatën e shpresës. Po nisim fushatën e kthimit të Kosovës në normalitet. Po nisim fushatën që i rikthen shtetit seriozitetin, institucioneve rendin dhe qytetarëve respektin. Sepse ne kemi plan konkret. Kemi njerëz. Kemi përvojë. Kemi përgjegjësi. Dhe ky përkushtim nis nga familja. Nuk ka shtet të fortë pa familje të forta. Nuk ka zhvillim pa fëmijë që rriten në siguri, në cilësi dhe në mundësi. Prandaj kemi propozuar Ministrinë e Familjes, jo si zyrë burokratike, por si shenjën më të qartë të orientimit tonë njerëzor, social dhe shtetëror. Si kontratë të re mes qytetarit dhe shtetit.
Në qeverisjen tonë, shteti do të jetë pranë qytetarit që nga dita e parë e jetës. Për çdo fëmijë të porsalindur në Kosovë, nënat do të përfitojnë 200 euro në muaj për dymbëdhjetë muaj rresht, pra 2400 euro për çdo të porsalindur”, potencoi ai.
Abdixhiku premtoi edhe për çiftet e reja dhe investim në arsim.
“Ky është zotim i qartë dhe i llogaritur. Dhe kujdesi nuk ndalet me lindjen. Çdo fëmijë nga mosha një deri në gjashtëmbëdhjetë vjeç do të mbështetet me pagesa mujore prej 50 eurosh, sepse shteti nuk guxon ta braktisë familjen pas momentit më të rëndësishëm të jetës së saj. Mbështetja për familjen vazhdon edhe për çiftet e reja, me mbulim të interesit për banesën e parë, që jeta të mos nisë me borxh dhe pasiguri. Këto janë politika që e mbajnë njeriun këtu, në vendin e vet, edhe në komuna të vogla si Juniku. Po aq e rëndësishme për ne është arsimi. Në katër vitet e ardhshme, një miliard euro do të investohen për çerdhe dhe për mësim tërëditor në gjithë Kosovën. Fëmijët tanë do të jenë në shkollë tërë ditën, të sigurt, të ushqyer, të mësuar dhe të përgatitur për nesër. Mësimi tërëditor, i nisur dhe i realizuar me sukses në Prishtinë, do të shndërrohet në model kombëtar. Të tjerët e premtuan. Ne e bëmë. Tash do ta zgjerojmë edhe në Junik, edhe në çdo komunë tjetër të Kosovës. Ne e dimë se shteti nuk funksionon pa njerëzit që e mbajnë atë në këmbë. Prandaj kemi marrë vendime të qarta për dinjitetin e punës. Në qeverisjen tonë, paga e mësuesit do të jetë 1000 euro. Paga e infermierit 975 euro. Paga e policit dhe e ushtarit 900 euro. Koeficienti i pagave do të rritet në 150 për rreth 80 mijë punëtorë të sektorit publik. Kjo nuk është luks; është drejtësi për ata që e mbajnë Republikën gjallë çdo ditë”, thotë kreu i LDK-së.
I pari i LDK-së u zotuar se çdo i diplomuar do të ketë punësim të garantuar për gjashtë muaj me pagë 500 euro.
“Vëmendje të veçantë i kushtojmë rinisë. Çdo i diplomuar në Kosovë do të ketë punësim të garantuar për gjashtë muaj me pagë 500 euro, të subvencionuar nga shteti. Asnjë i diplomuar nuk do të endet rrugëve pa shpresë. Paralelisht, 40 mijë të rinj do të trajnohen në sektorin e teknologjisë informative, përmes Ministrisë së Digjitalizimit dhe një investimi prej gjysmë miliardi eurosh. Të rinjtë e Junikut do të mund të punojnë me paga evropiane, duke jetuar këtu, në vendin e tyre. Zhvillimi ekonomik është shtylla tjetër e vizionit tonë. Në katër vite parashohim pesë miliardë euro investime kapitale dhe rritje ekonomike prej pesë për qind. Këto nuk janë shifra në letër; janë rrugë, ujësjellës, shkolla, spitale, zona industriale dhe vende pune. Do t’i përfundojmë magjistralet për Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Podujevë dhe do ta lidhim Dukagjinin siç e meriton. Do të ndërtojmë centralin e ri me gaz, në partneritet me Shtetet e Bashkuara, që Kosova të mos importojë më një miliard euro rrymë, por ta prodhojë vet. Në shëndetësi, do të ndërtojmë Qendrën e Re Klinike të Kosovës me investim prej gjysmë miliardi eurosh. Do të vendosim sigurime shëndetësore funksionale dhe do ta digjitalizojmë sistemin, që askush të mos shesë pronë për t’u shëruar. Ky do të jetë investimi më i madh shëndetësor që nga viti 1964”, shtoi ai.

















