Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur një lajm të mirë për Kosovën – njohjen e 121-të e cila vjen nga shteti i Amerikës Veriore – ishujt Bahama.
Ajo tha se sapo nënshkruan në kryeqytetin e Bahama marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me kryeministrin e Bahama, Philip Davis.
Të dyja shtetet njoftojnë gjithashtu vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Komonuelthit të Bahama dhe Republikës së Kosovës, me efekt nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, thuhet në deklaratë.
Të dyja shtetet riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Ato bien dakord ta zhvillojnë marrëdhënien e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.
Bahama dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv.
Bahama dhe Kosova mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili u shërben interesave të të dy popujve dhe kontribuon në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Kujtojmë, para Bahama, ishte Siria ajo që më 26 tetor 2025 njohu shtetin e Kosovës.

















