“Do të vij çdo ditë në shtëpinë tënde dhe do të të keqtrajtoj”, Biznesmeni sulmoi verbalisht zv.kryetaren e Leposaviqit

E publikuar: 19/12/2025 13:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një incident është regjistruar në ambientet e Komunës së Leposaviqit, ku i përfshirë dyshohet të jetë afaristi, Nafidin Emini.

Raportohet se ngjarja ka ndodhur më 18 dhjetor, rreth mesditës.

Zv.kryetarja e komunës, Marina Bogojovic është përballur me një situatë shqetësuese në korridorin e objektit komunal, ku i dyshuari i është drejtuar me tone të larta dhe fjalë kërcënuese, duke pretenduar se komuna i ka mbetur borxh biznesit të tij.

Në deklarimet e raportuara, thuhet se kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme dhe kanë përfshirë paralajmërime për shqetësim të saj si në vendin e punës ashtu edhe në jetën private, duke iu drejtuar me fjalët “do të vijë çdo ditë në shtëpinë e saj dhe do ta keqtrajtojë çdo ditë, në punë dhe jashtë saj”.

Rasti është denoncuar në Policinë e Kosovës rreth dy orë pas incidentit. I dyshuari është ndaluar për intervistim dhe, pas procedurave fillestare, është liruar. Me vendim të Prokurorit kompetent, ngjarja është kualifikuar si kundërvajtje për sulm verbal dhe do të procedohet sipas rrugëve të rregullta ligjore.