E ardhmja e sulmuesit gjerman Karim Adeyemi te Borussia Dortmund duket gjithnjë e më e pasigurt, pavarësisht faktit se ai ka kontratë me klubin verdhezi deri në vitin 2027. Sipas raportimeve nga media gjermane, diskutimet për një largim të mundshëm kanë nisur prej kohësh dhe së fundmi situata ka marrë një kthesë të re.
Mediumi prestigjioz BILD raporton se Adeyemi i ka bërë të ditur drejtuesve të Borussia Dortmund dëshirën e tij për t’u larguar nga klubi. Arsyeja kryesore e këtij vendimi lidhet me jetën personale të futbollistit. Thuhet se bashkëshortja e tij, këngëtarja me origjinë nga Kosova Loredana Zefi, preferon të jetojë në një metropol të madh evropian, në vend të qytetit të Dortmundit.
Pas këtij zhvillimi, Adeyemi ka ndërmarrë hapa konkretë për të përgatitur largimin e mundshëm. Sipas burimeve, sulmuesi ka ndërruar agjent dhe ka nisur bisedimet për rinegociimin e kushteve të kontratës së tij, duke hapur rrugën për një transferim në të ardhmen e afërt.
Karim Adeyemi vlerësohet aktualisht me rreth 60 milionë euro në tregun e transferimeve dhe interesimi për të është i madh. Emri i tij është përmendur si objektiv i disa prej klubeve më të mëdha evropiane, përfshirë Barcelona, Manchester United dhe Juventus, të cilat po monitorojnë nga afër situatën e tij.
Borussia Dortmund, nga ana tjetër, pritet të shqyrtojë me kujdes çdo ofertë, ndërsa vendimi përfundimtar për të ardhmen e Adeyemit mund të merret gjatë merkatos së ardhshme.



















