Çitaku: Konjufca paska lëshuar pe në gjithçka, deklaratat sikur ta kishte dorëzuar librezën e VV-së 

E publikuar: 16/12/2025 12:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Vlora Çitaku. Foto: Faqja zyrtare

Vlora Çitaku. Foto: Faqja zyrtare

Kandidatja për deputete e PDK-së, Vlora Çitaku, ka komentuar intervistën e djeshme të Glauk Konjufcës në T7, duke thënë se deklaratat e tij kanë ngjarë sikur Konjufca ta ketë dorëzuar librezën e partisë tek hyrja e televizionit.

Çitaku ka thënë se ndonëse sloganin “Mos lësho pe”, Konjfuca në intervistë ka lëshuar pe për gjithçka.

“Një këshillë miqësore: në vend të një narrative të re në funksion të zgjedhjeve, filloni duke marrë përgjegjësi për përçarjet dhe linçimet që keni ushqyer”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

Konjufca dje paska folur sikur ta kishte dorëzuar librezën e Vetëvendosjes në hyrje të “Pressing”-ut në T7. Në njërën anë dalin me thirrje patetike “Mos lësho pe”. Ndërsa, në anën tjetër, Konjufca vetë paska lëshuar pe në gjithçka.

Madje, e paska lëshuar edhe Vetëvendosjen, gjuhën e saj, arrogancën e saj, dështimet e saj. Pesë vjet në pushtet i paska shndërruar në amnezi politike. Paska folur sikur të ishte një mysafir i rastit në historinë e Vetëvendosjes.

Një këshillë miqësore: në vend të një narrative të re në funksion të zgjedhjeve, filloni duke marrë përgjegjësi për përçarjet dhe linçimet që keni ushqyer.