Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë, e ku thotë ta ketë ftuar për një vizitë në Republikën e Kosovës.
Osmani tregon se në takim është biseduar edhe për rolin e Kosovës për të ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare mbi përvojën historike të qëndresës dhe sakrificës.
“Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë. Gjatë takimit i përcolla sërish urimet më të përzemërta për fillimin e misionit të tij, si dhe shpresën që pontifikati i tij të sjellë dritë, kurajë dhe mbështetje për njerëzit në nevojë anembanë botës. Përcolla poashtu ftesën e përzemërt për një vizitë të tij në Republikën e Kosovës, e cila do të pritej me shumë dashamirësi nga të gjithë qytetarët tanë. Biseduam për rolin e Kosovës, tokës sonë dardane, si vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare mbi përvojën e saj historike të qëndresës dhe sakrificës”, ka shkruar Osmani.
Tutje ajo tha se Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë.
“Diskutuam gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit në fusha që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve tanë, me shpresën që Selia e Shenjtë do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës. Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe ta avancojë miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë. Në frymën e festës së Krishtlindjes, ndamë dëshirat e përbashkëta për paqe e harmoni në gjithë botën”, ka shkruar Osmani.

















