Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Jehona Lushaku, ka ngritur alarmin për gjendjen e arsimit në Kosovë, duke deklaruar se vetëm gjatë katër viteve të fundit vendi ka humbur 28,670 nxënës, ndërsa mbi 400 mësimdhënës janë larguar nga sistemi arsimor.
Sipas Lushakut, këto shifra nuk janë thjesht statistika, por dëshmi e një dështimi serioz institucional. Ajo theksoi se zbrazja e shkollave dhe largimi i mësuesve nuk janë pasojë e faktorëve demografikë, por rezultat i politikave të gabuara dhe mungesës së vizionit në qeverisje.
Ajo shtoi se sot arsimi në Kosovë është dobësuar, është tkurrur dhe po braktiset, duke e cilësuar këtë gjendje si papërgjegjësi të drejtpërdrejtë të qeverisë aktuale.
“Kur çdo vit shkollat zbrazen dhe mësuesit largohen, problemi nuk është demografik, por politikë e gabuar e mungesë vizioni. Qeveria Kurti pati buxhet. Pati suficit. Por nuk pati vullnet, nuk pati prioritet, nuk pati vizion për arsim. As investime reale. As reforma. Vetëm propagandë”, ka thënë Lushaku.

















