Vlora Çitaku i reagon Kurtit: Në vend të përgjegjësisë, arrogancë dhe panik

E publikuar: 12/12/2025 14:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Vlora Çitaku. Foto: Faqja zyrtare

Vlora Çitaku. Foto: Faqja zyrtare

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti duke e akuzuar atë se po sulmon institucionet dhe çdo kritik që nuk i nënshtrohet.

Në një postim në Facebook, Çitaku ka thënë se Kurti po shmang përgjegjësinë për dështimet qeveritare duke u hedhur në sulme ndaj të gjithëve.

“Mbrëmë, Albin Kurti zgjodhi të sulmojë gjithçka dhe secilin që nuk i nënshtrohet. Prokurorinë. Gjyqësorin. Mediat. Aleatët. Oponentët”, ka shkruar ajo.

Sipas Çitakut, kryeministri në vend që të japë llogari, po bëhet mburojë politike për të akuzuarit në rastet e shpërdorimeve të mëdha.

“Në vend se të japë llogari për dështimet, ai u bë mburojë politike për të akuzuarit për shpërdorime milionshe, nga energjia e deri te rezervat shtetërore. Në vend të rezultateve, ofroi linçim. Në vend të përgjegjësisë, arrogancë.”, ka theksuar ajo.

Ajo shton se Kurti po ofron linçim në vend të rezultateve, dhe arrogancë në vend të përgjegjësisë.

“Kur mungon puna, goditet institucioni. Kur mungon vizioni, sulmohen aleatët. Kur mungon përkushtimi ndaj qytetarëve, krijohen armiq të brendshëm”, është shprehur Çitaku.

Nënkryetarja e PDK-së thekson se Kosova ka nevojë për qeverisje dhe llogaridhënie, e jo për frikë nga drejtësia.

“Kosova nuk ka nevojë për një kryeministër që frikësohet nga drejtësia dhe sulmon fjalën e lirë. Ka nevojë për qeverisje, llogaridhënie dhe respekt për shtetin që i shërben. Kjo nuk është forcë. Kjo është panik”, ka përfunduar ajo.