Kosova dhe Shqipëria janë ekonomitë e rajonit me kursime më të larta të depozituara në sektorin bankar, në raport me madhësinë totale të ekonomisë.
Të dhënat krahasuese nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tregojnë se në fund të vitit 2024 depozitat bankave të shqiptarëve ishin sa 66.24% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Ky tregues iu kthye rritjes, pas tre vitesh radhazi në rënie. Për vitin 2023, ai kishte qenë sa 61.39% e PBB-së.
Megjithatë, raporti i depozitave ndaj PBB-së nuk ka arritur ende nivelin rekord prej 75% të vitit 2020.
Në përgjithësi, rritja e shpejtë ekonomike në periudhën pas pandemisë nuk është ndjekur dot nga një rritje në përmasa të njëjta e depozitave.
Një efekt të konsiderueshëm ka pasur edhe kursi i këmbimit. Më shumë se gjysma e depozitave bankare në Shqipëri janë në monedhën Euro. Edhe shtesa e depozitave në vitet e fundit ka ardhur kryesisht në monedhën europiane. Por, zhvlerësimi i Euros ndaj Lekut (më afërsisht 25% që nga vitit 2020) ka ndikuar negativisht vlerën e depozitave në valutë dhe raportin e tyre ndaj prodhimit kombëtar.
Megjithatë, për vitin 2024 raport i depozitave ndaj PBB-së ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme, pjesërisht edhe për shkak të rritjes më të lartë të depozitave në Lekë.
Vendi me sasinë më të madhe të kursimeve të mbajtura si depozita kundrejt PBB-së në Rajonin e Ballkanit Perëndimor tashmë është Kosova, në vlerën e 67.18% të PBB-së.
Shqipëria renditet e dyta, me depozita sa 66.24% e PBB-së. Vijon Maqedonia e Veriut, ku depozitat kanë një vlerë sa 63.33% e PBB-së, Bosnje-Hercegovina, me 53.32%, Mali i Zi, me 52.44% dhe Serbia, me 46.82%.
Përgjithësisht, individët në rajonin e Ballkanit Perëndimor ngelen të përkushtuar ndaj instrumenteve më tradicionale të kursimit. Kjo tendencë ka qenë mjaft e theksuar edhe te shqiptarët. Megjithëse në dekadën e fundit ka një rritje të investimit në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare, në mënyrë direkte apo përmes fondeve të investimit, pjesa dërrmuese e shqiptarëve preferojnë t’i mbajnë paratë në depozita bankare.
Vlerësohet se në fund të vitit të kaluar, depozitat bankare përbënin rreth 88% të kursimeve totale të shqiptarëve, ndërsa pjesa tjetër është e shpërndarë mes instrumenteve të boxhit të qeverisë, fondeve të investimit, atyre të pensionit dhe obligacioneve të shoqërive tregtare.
Depozitat e publikut përbëjnë bazën e aktivitetit të ndërmjetësimit financiar në Shqipëri dhe që qenit një treg i pasur në depozita ka ndihmuar në zhvillimin e një sektori bankar të qëndrueshëm dhe të pavarur nga burimet e huaja të financimit.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shtator 2025 totali i depozitave në banka arriti në 1.793 trilionë lekë ose pothuajse 18.7 miliardë euro. Krahasuar me një vit më parë, depozitat u rritën me 152 miliardë lekë ose 9.3%.

















