AAK-ja nominon Ramush Haradinajn për kryeministër, sllogani për zgjedhje “Krah teje”

E publikuar: 05/12/2025 18:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se sot Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së e ka nominuar si kandidat për kryeministër dhe bartës të listës për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Gjithashtu në takimin e mbajtur, Haradinaj ka thënë se është miratuar lista prej 110 deputetëve dhe slogani “Krah teje”.

Njoftimi i plotë:

I nderuar që sot Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së më ka nominuar kandidat për kryeministër dhe bartës të listës për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit. Poashtu, ka miratuar listën prej 110 kandidatëve për deputetë, sipas kriterit të gjithpërfshirjes rajonale, profesionale dhe gjinore.

Poashtu, Aleanca ka miratuar edhe programin zgjedhor, i cili është i ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: qëndrueshmëria dhe trashëgimia, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, si dhe siguria dhe integrimi euro-atlantik.

Kombinimi i lidershipit të guximshëm e vizionar, lista gjithpërfshirëse dhe programi i zhvillimit ekonomik, janë themeli mbi të cilin do të ndërtohet oferta e Aleancës për këto zgjedhje parlamentare.

Aleanca parasheh rritje ekonomike vjetore prej 7 për qind, rritje të GDP-së prej 12 në 14 miliardë euro brenda mandatit, rritje të buxhetit prej 3.3 miliardë eurosh, sa ka qenë në vitin 2025, në 4 miliardë për vitin 2026, për të mbërritur në 6.1 miliardë në vitin e fundit të mandatit katërvjeçar.

Kjo politikë buxhetore është garanci e stabilitetit financiar, e rritjes së pensioneve dhe pagave, të cilat që në vitin 2026 do të shënojnë rritje prej 31 për qind, shprehur në vlera nominale: pagë mesatare prej 1,100 eurosh dhe pension prej 500 eurosh, varësisht nga kategoritë.

Pagat dhe pensionet, në kohë reale, do ta ndjekin trajektoren e ngritjes vjetore sipas indeksit të zhvillimit ekonomik dhe inflacionit.