Ministrja e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, ka mbajtur sot një konferencë për media. Ajo ka adresuar disa çështje që sipas saj kanë krijuar paqartësi dhe dezinformata në sektorin e energjisë.
Rizvanolli ka mohuar çdo lidhje të mundshme të Lëvizjes Vetëvendosje apo të zyrtarëve të Qeverisë me kompaninë EFT, duke theksuar se të dhënat e keqinterpretuara të ankandeve të kapaciteteve ndërkufitare përdoren qëllimisht për të krijuar bindjen se Kosova po blen energji nga EFT.
Ajo gjithashtu sqaroi se pjesa më e madhe e energjisë në Kosovë blihet nga KESKO dhe KEDS, të cilat janë kompani të privatizuara para 10 vitesh.
“Po thuhet se disi LVV është e lidhur me kompaninë EFT, asnjë zyrtar i Qeverisë e as i LVV-së nuk ka asnjë lidhje me EFT-në është komplet gësnjeshter. Nuk ekziston asnjë fakt që Kosova ka importuar nga EFT gjatë qeverisjes sonë edhe kjo është komplet gënjeshtër. Po keqinterpretohen qëllimshëm të dhënat e ankandeve të kapaciteteve ndërkufitare të cilat EFT i shfrytëzon për të bartur energjinë tranzit në shtetet tjera përmes kufijve energjetik të Kosovës për të krijuar bindjen se Kosova po blenë nga EFT që është pra komplet gënjeshtër. Dua të ju rikujtojë se qeveria nuk blen energji dhe se pjesa dërrmuese në Kosovë blihet nga KESKO dhe KEDS për furnizim dhe humbje në rrjet, siç e dini këto kompani janë privatizuar para 10 vitesh.” – tha Rizvanolli.















