Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka shprehur pakënaqësinë e tij për renditjen në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, ku ai u rendit me numrin 14. Haliti tha se ndihej i ofenduar që nuk ishte në dhjetëshen e parë të listës, duke theksuar se kjo renditje ka rëndësi të madhe për mundësinë e votimit nga qytetarët.
“Çdo kandidat dëshiron të jetë në dhjetëshen e parë. Shumica e qytetarëve nuk votojnë më shumë se 10 persona, prandaj krijohet mundësia që të votohet dikush nga dhjetëshja e parë. Nuk kam protestuar për numrin 14 dhe nuk i kam thënë askujt asgjë. Kam dalë me atë numër dhe kam marrë rreth 15 mijë vota. Nuk jam i kënaqur, por ndihem i ofenduar,” tha Haliti në emisionin “Konfront” në KTV.
Haliti shtoi se renditja e kandidatëve mbetet kompetencë e kryetarit të partisë dhe se ai është propozuar sërish për deputet.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, ai nuk arriti të siguronte ulëse në legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës. Zgjedhjet e parakohshme nacionale janë caktuar të mbahen më 28 dhjetor të këtij viti.

















