Moshat 25-35 vjeç më të prekurat nga HIV/AIDS, gjashtë viktima këtë vit

E publikuar: 01/12/2025 14:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova është vend me shkallë të ulët të epidemisë së HIV/AIDS, megjithatë vetëm përgjatë këtij vitit janë regjistruar 31 raste të reja me këtë sëmundje ngjitëse dhe gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e HIV/AIDS.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës me rastin e shënimit të Ditës Botërore të AIDS 2025.

“T’i tejkalojmë pengesat dhe të transformojmë përgjigjen ndaj AIDS”, kjo është motoja e fushatës së sivjetme botërore karshi kësaj sëmundje.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë, Merita Vuthaj, u shpreh se përballja me HIV/AIDS-in mbetet një sfidë globale. Ajo theksoi angazhimin e këtij dikasteri për të forcuar sistemin shëndetësor, në mënyrë që shërbimet shëndetësore për këtë sëmundje të jenë të qasshme për të gjithë.

Vuthaj njoftoi se nga fillimi i vitit të ardhshëm do të nis shpërndarja e terapisë PrEP në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor.

Drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Ardita Baraku tha se viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigjes globale karshi HIV/AIDS për shkak të kufizimit të fondeve.

Udhëheqësi i programit për rini në UNFPA, Besnik Sherifi tha se sëmundja HIV mbetet problem global i shëndetit publik duke marr mbi 44 milionë jetë deri sot.

Sherifi potencoi se si UNFPA në Kosovë kanë kontribuar në parandalimin e HIV/AIDS përmes programeve të shumta.

Luljeta Gashi nga Departamenti i Epidemiologjisë pranë IKSHPK-së, u shpreh se Kosova ka shkallë të ulët të epidemisë me HIV, megjithatë vetëm vitin aktual janë raportuar 31 raste të reja me këtë sëmundje ngjitëse dhe gjashtë persona kanë vdekur.

Sipas Gashit, moshat më të prekura janë ato 25-35 vjeç, derisa meshkujt janë më të infektuar me HIV me gjithsej 82%.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës rrugët e përhapjes së HIV-AIDS-it, janë heteroseksuale me 48%, e pasuar nga 35% homoseksuale.

Prej vitit 1988, 1 Dhjetori njihet në të gjithë botën si dita kundër virusit vdekjeprurës, HIV/AIDS.

Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it organizohet çdo vit më 1 Dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS-in, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie.