Agim Veliu, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka komentuar diskutimet që janë bërë rreth emrit të tij për të qenë pjesë e listës së kësaj partie për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Për këtë, Veliu ka falënderuar ata që kanë ngritur zërin për kontributin e tij në LDK, si dhe, ‘’për kthimin e drejtësisë dhe meritokracisë brenda’’ kësaj partie.
Tutje, Veliu, ka theksuar se si në këto zgjedhje, edhe në ato të kaluarat ka pasur pritshmëri që ai të jetë pjesë e kësaj liste, dhe se, ai ka vazhduar të jetë në shërbim të LDK’së, ‘’pavarësisht vendimeve të padrejta dhe të dëmshme të asaj kohe’’.
‘’Dua ta theksoj qartë se përfshirja në listë nuk është favor dhe as privilegj personal. Për mua dhe për secilin që ka dhënë kontribut të gjatë në LDK, është vetëm përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim, është respekt ndaj historisë sonë dhe ndaj qytetarëve që na kanë besuar për shumë vite’’, ka deklaruar ai mes tjerash.
Veliu, ka thënë edhe se, nuk duhet të lihen jashtë ata që kanë themeluar LDK’në, si arsye për të hapur derën për ata që s’kanë qenë pjesë e LDK-së.
“Prandaj, është e domosdoshme që dera të mos u hapet atyre që nuk kanë qenë pjesë e LDK-së, nëse kjo do të ishte arsyeja të lihen jashtë ata që e kanë themeluar, e kanë mbrojtur dhe e kanë mbajtur gjallë partinë për më shumë se 30 vite. Respekti për bazën, për themeluesit dhe për kontribuesit afatgjatë nuk është vetëm parim, është detyrim moral dhe institucional ndaj LDK-së, ndaj anëtaresisë dhe ndaj qytetarëve që na besojnë. Pavarësisht debateve të ditëve të fundit, unë mbetem i përkushtuar ndaj vlerave të LDK-së, i gatshëm ta jap kontributin tim dhe besnik ndaj secilit anëtar që e ka dashur dhe e do partinë si shtëpinë e vet.” – shkruan Veliu.
Shkrimi i plotë:

















