Veterani i UÇK-së Asllan Daku akuzon gjykatën: Vetëm 5 vite për grabitësin që më la të plagosur rëndë

E publikuar: 27/11/2025 22:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asllan Asllani, nga Gjilani ishte plagosur rëndë në ngjarjen e 19 janarit 2018 gjatë një tentim grabitjeje në pikën e këmbimit valutor “Euro-Këmbimi”, ka reaguar ashpër pas vendimit të fundit të Gjykatës Themelore në Gjilan, duke pretenduar se ndaj tij është bërë padrejtësi. Ai thotë se sot ka përjetuar sërish zhgënjim të thellë nga sistemi i drejtësisë, raporton Infosot.

Asllani kujton se atë ditë, ai dhe kolegu i tij Visar Morina ndodheshin në vendin e punës kur katër persona të armatosur, dy me kallashnikov dhe dy me armë të shkurtra, tentuan të grabisnin pikën e këmbimit. Gjatë arratisjes, siç përshkruan ai, mbeti i plagosur rëndë. Njëri nga agresorët, sipas tij, humbi një kapelë brenda automjetit të vjedhur, automjet që, siç specifikon, ishte pronë e një polici.

Në reagimin e tij, Asllani lidh edhe një tjetër ngjarje grabitjen e transportuesit të parave në Parallovë të Gjilanit më 19 shtator 2021, rast që sipas tij u lidh më vonë me të njëjtit persona të përfshirë në tentim-grabitjen ku ai u plagos. Ai thotë se në vitin 2024, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj gjashtë të pandehurve për grabitje të rëndë D.G., M.L., K.Xh., A.B., V.S. dhe N.M.

Asllani thekson se gjatë hetimeve u konfirmua që ADN-ja e të pandehurit V.S. përputhej plotësisht me provat e gjetura në kapelën e mbetur në automjetin e vjedhur, të cilën ai e quan provë të pakontestueshme dhe direkte. Megjithatë, sipas tij, i pandehuri nuk ka treguar asnjëherë se me kë ishte në këtë tentim-grabitje dhe nuk kishte bashkëpunuar me hetuesit apo Prokurorinë.

Ai shprehet i indinjuar me vendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, e cila sot shqiptoi dënim prej pesë vitesh burg për të pandehurin V.S. Në reagimin e tij, ai shtron pyetjen se si është e mundur një dënim i tillë, duke iu referuar neneve të Kodit Penal të Republikës së Kosovës që, sipas tij, parashikojnë dënime më të rënda në rastet e grabitjes së rëndë me armë, kryerjes në grup dhe shkaktimit të dëmeve të rënda trupore.

Ai përmend Nenin 317 për grabitje të rëndë, Nenin 367 për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe Nenin 366 për armëmbajtje pa leje, duke theksuar se vetëm dënimi minimal për armëmbajtje pa leje është tre vjet burg. Asllani thekson se, sipas tij, një dënim prej pesë vitesh për një tentim-grabitje të armatosur, ku ai u plagos rëndë dhe ku ekziston provë direkte e ADN-së, është i pakuptueshëm.