Akuzat për mungesë buxheti, Murati-Ramës: Janë alokuar mjetet për dhjetor, nuk i keni kryer pagesat

E publikuar: 23/11/2025 15:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati u është përgjigjur akuzave të kryetarit Përparim Rama për bllokim të mjeteve buxhetore, duke thënë se të premten pasdite Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit, por stafi i Komunës së Prishtinës ka përfunduar orarin dhe nuk ka kryer pagesat me arsyetimin se “i kryejnë të hënën”, raporton KosovaPress.

Në një postim në Facebook, Murati thotë se alokimi i mjeteve buxhetore për muajin dhjetor ka ndodhur para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike, raporton KosovaPress.

“Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se “i kryejmë të hënën”. Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm”, shkruan Murati.

Sipas tij, në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, “Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë antiqeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën, sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielën.”

“Kjo e sqaron edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend, sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursejnë as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria”, përfundon Murati.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama gjatë një konference sot për media nuk ka përmendur se janë alokuar mjetet buxhetore për muajin dhjetor, duke thënë se të hyrat vetanake tash e 11 muaj janë të bllokuara nga Ministria e Financave dhe se nuk janë pjesë e buxhetit.

“Prej mbi një vit në mënyrë të vazhdueshme dhe plotësisht në përputhje me procedurat ligjore, kemi kërkuar alokimin e buxhetit që i takon kryeqytetit. Asnjë kërkesë nuk është trajtuar, buxheti është bllokuar për çështje kryesisht politike. 35 milionë euro prej të cilave 25 janë të hyra vetanake, 10 milionë të grantit qeveritar janë bllokuar nga Ministria e Financave në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën’”, tha Rama.

Rama gjatë ditës ka takuar përfaqësuesit e transportit urban dhe Shoqatës së Transportuesve të Sektorit Privat, ku është njoftuar se nga nesër transporti publik në kryeqytet do të ndalet në mungesë të pagave.
Lexo po ashtuProduktet e Kosovës së shpejti me barkode ndërkombëtare“Shërbimet të transportit urban janë të papaguara me muaj të tërë dhe kanë arritur në një pikë ku nuk mund t’i paguajnë as derivatet”, tha ai, teksa i bëri thirrje Ministrisë së Financave që të veprojë në pajtim me ligjin.