Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shkruar se vazhdon edhe këtë vit mbështetja për familjet me të ardhura të ulëta përmes subvencionimit të faturave të energjisë elektrike.
Ai ka shkruar në Facebook se qytetarët, sidomos ata që kanë më së shumti nevojë, do ta kenë gjithmonë në krah qeverinë e tyre.
Kurse, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se nga kjo javë ka filluar subvencionimi i faturave të energjisë elektrike për muajin tetor, për të gjitha familjet e cenueshme me të ardhura të ulëta.
“Familjet përfituese mund ta shohin vlerën e subvencionit si në aplikacionin elektronik, ashtu edhe në faturat fizike që shpërndahen në ditët në vijim. Kjo mbështetje nga Qeveria do të vazhdojë për gjashtë muaj deri në përfundim të stinës së dimrit, njësoj sikurse viti paraprak”, ka shkruar ai.


















