Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka rrëzuar tërësisht konkursin për pozitën “Udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Publikun” në Zyrën e Presidentes, duke gjetur një sërë shkeljesh ligjore në procedurat e brendshme të rekrutimit. Vendimi, i marrë më 30 shtator 2025, detyron Presidencën ta kthejë procesin në pikën zero dhe t’i njoftojë Këshillit brenda 15 ditësh për hapat që ndërmerr, raporton Infosot.
Ankesa ishte parashtruar nga kandidatja T.B, e cila kishte marrë pjesë në proces dhe pretendonte se vlerësimi i testit me shkrim dhe intervistës ishte bërë në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me kriteret e shpalljes. Pas një administrimi të gjerë të provave, Këshilli i dha të drejtë asaj, por jo vetëm kaq. Hetimi zbuloi probleme strukturore në vetë procedurën e konkursit, përfshirë faktin se tërë procesi ishte udhëhequr nga një Ushtrues Detyre i Sekretarit të Zyrës së Presidentes, një funksion që, sipas dokumenteve, po ushtrohej me UD që nga viti 2020.
Sipas vendimit, Presidenca kishte lejuar që një funksion kaq i rëndësishëm, aprovimi i fillimit të rekrutimit dhe emërimi i Komisionit të Pranimit, të mbahej për afro pesë vite me status “Ushtrues Detyre”. Kjo formë e menaxhimit, sipas Këshillit, është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet e Ligjit për Zyrtarët Publik, i cili parashikon status të veçantë dhe rregulla strikte për shërbimin civil brenda Presidencës.

Nga vendimi i KPMSHC rezulton se Presidenca nuk kishte ofruar dëshmi të ndonjë mandati të përkohshëm të qartë. Vendimi i Presidentes i vitit 2020, i cili e emëronte F.M si Ushtrues Detyre të Sekretarit, ishte dokumenti i vetëm i paraqitur. Në praktikë, kjo do të thotë se një ushtrues detyre ka marrë vendime që ligji ia njeh vetëm një sekretari të emëruar me mandat të rregullt.
Mbajtja e pozicionit kyç me UD për një kohë kaq të gjatë është konsideruar shkelje thelbësore e parimeve të administratës publike, thuhet në vendim.
Përveç problemeve procedurale, ankuesja kishte pretenduar se vlerësimi i esesë dhe i intervistës nuk ishte bërë sipas kritereve të shpallura. Ajo kishte kaluar testin me shkrim me 50.2 pikë, mbi pragun ligjor prej 50 pikësh dhe ishte renditur e katërta me gjithsej 71.2 pikë. Kandidati i shpallur fitues kishte 80.4 pikë, por Këshilli thekson se mënyra e vlerësimit nuk është e rëndësishme nëse vetë procedura ligjore që çoi në atë vlerësim është e pavlefshme.
Prandaj, Këshilli nuk u mjaftua me rishikimin e konkursit, por anuloi tërësisht, përfshirë çdo akt tjetër që ka rrjedhur nga ai. Vendimi është i detyrueshëm dhe Zyrës së Presidentes i është kërkuar që të nisë procedurën e re sipas ligjit, me një sekretar të caktuar në mënyrë të rregullt dhe me respektim të plotë të Udhëzimit Administrativ për rekrutim.



















