Mediat kryesore gjermane kanë publikuar së fundi të dhëna të reja tronditëse lidhur me skandalin kriminal ku persona të pasur nga disa vende të Evropës dhe Amerikës dyshohet se paguanin shuma të mëdha parash për të marrë pjesë në gjuajtje ndaj civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës.
Sipas raportimeve të portaleve gjermane ntv, Bild dhe gazetës Tagesanzeiger, hetimi i Prokurorisë së Milanos, i nisur në shkurt të vitit 2025, ka zbuluar prova të reja që tregojnë se këta “snajperistë të fundjavës” udhëtonin fillimisht drejt Beogradit, ku priteshin nga pjesëtarë të ushtrisë serbe dhe më pas transportoheshin në pozicionet snajperike përreth Sarajevës. Disa prej tyre thuhet se u vendosën edhe në ndërtesat e larta të lagjes Grbavica, prej nga qëllonin mbi banorët e qytetit të rrethuar.
Mediat raportojnë se mbi 200 burra – shumica ende gjallë – dyshohet se kanë marrë pjesë në këtë “safari ndaj njerëzve” mes viteve 1993 dhe 1995. Shumë prej tyre vinin nga Italia, Gjermania, Spanja, Franca, Kanadaja dhe SHBA, dhe sipas hetimeve paraprake, paguanin nga 300.000 deri në 400.000 euro për të marrë pjesë në këto akte monstruoze. Shuma edhe më të mëdha dyshohet se paguheshin për të qëlluar mbi fëmijët.
Hetimi është hapur pas padisë së gazetarit dhe shkrimtarit italian Ezio Gavazzeni, i cili ka dorëzuar dokumente, dëshmi dhe kontakte me ish-zyrtarë ushtarakë nga Bosnja dhe Italia. Ai pretendon se në Trieste organizoheshin grupet e “gjuetarëve”, të cilët më pas kalonin kufirin me Serbinë dhe transportoheshin me helikopterë ushtarakë në pozicionet e vendosura në kodrat përreth Sarajevës.
Gazeta Tagesanzeiger citon gjithashtu burime që thonë se disa prej të dyshuarve italianë tashmë janë identifikuar, përfshirë një biznesmen të njohur milanez dhe dy persona nga Torino dhe Trieste. Ndërkohë, Prokuroria e Milanos ka kërkuar dokumente edhe nga Tribunali i Hagës dhe nga shërbimet sekrete të Bosnjës dhe Italisë.
Bild rikujton se fenomeni u publikua që në vitin 1995 nga Corriere della Sera, ndërsa në vitin 2022 u trajtua gjerësisht në dokumentarin “Sarajevo-safari”. Megjithatë, të dyshuarit e mundshëm nuk janë ndëshkuar kurrë.
Prokuroria italiane po heton tani për vrasje me paramendim, të kryera me motivime veçanërisht mizore dhe çnjerëzore. Dëshmitë e reja që flasin për mbërritjen e “turistëve të vdekjes” përmes Beogradit dhe veprimin e tyre nga ndërtesat e Grbavicës pritet të luajnë rol kyç në fazat e ardhshme të hetimit.

















