Gjykata Komerciale e Kosovës, përmes Dhomës së Shkallës së Dytë, ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, KOSTT Sh.A, ndaj vendimit të Inspektoratit të Punës, duke vërtetuar në tërësi aktgjykimin e shkallës së parë që kishte konfirmuar ligjshmërinë e gjobës së shqiptuar ndaj kompanisë.
KOSTT kishte paditur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, gjegjësisht Inspektoratin e Punës, duke kërkuar anulimin e dy vendimeve të këtij institucioni: nr. 01/37-123/19-A-1 të datës 7 mars 2019 dhe nr. prot. 323/2019 të datës 12 qershor 2019.
Sipas padisë, këto vendime ishin marrë “në kundërshtim me ligjin”, me pretendimin se ishin bërë nën vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe me zbatim të pasaktë të dispozitave të Ligjit të Punës dhe të Procedurës Administrative, raporton Infosot.
Në thelb, kontesti kishte të bënte me shpalljen e një konkursi publik për praktikantë nga ana e KOSTT-it, për të cilin Inspektorati i Punës kishte konstatuar shkelje ligjore, duke i shqiptuar gjobë.
Sipas Inspektoratit, kompania kishte pranuar kandidatë që tashmë kishin përvojë pune profesionale dhe nuk plotësonin kriteret për statusin e praktikantit, siç përcaktohet në nenin 16, paragrafi 4 të Ligjit të Punës.

Gjykata Komerciale, Dhoma e Shkallës së Parë, më 30 qershor 2023, kishte refuzuar padinë e KOSTT-it, duke vlerësuar se gjoba e shqiptuar nga Inspektorati i Punës ishte e drejtë dhe e ligjshme.
Sipas gjykatës, Inspektorati kishte vepruar brenda autorizimeve ligjore, duke konstatuar se punësimi i kandidatëve me përvojë pune si praktikantë bie ndesh me dispozitat e Ligjit të Punës.
Në aktgjykim, gjykata ishte mbështetur në nenin 7, paragrafi 2, pika 2.4 e Udhëzimit Administrativ nr. 07/2012, i cili parasheh gjobë prej 100 deri në 7,000 euro për shkelje të dispozitave që përcaktojnë kohëzgjatjen e punës praktike të praktikantit.
Gjykata kishte theksuar se qëllimi i dispozitave ligjore është që periudha e praktikës të shërbejë për përgatitje profesionale, e jo për të zëvendësuar marrëdhënien e punës, dhe se kandidatët e pranuar nga KOSTT nuk e përmbushnin më kriterin për statusin e praktikantit, pasi kishin përfunduar praktikën apo kishin përvojë pune në të njëjtin institucion.
Pas këtij vendimi, KOSTT ushtroi ankesë në shkallën e dytë, duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë kishte bërë shkelje thelbësore të dispozitave procedurale, kishte vërtetuar gabimisht gjendjen faktike dhe kishte zbatuar gabim ligjin material.
Ndër të tjera, KOSTT argumentoi se konkursi për praktikantë ishte shpallur konform Ligjit të Punës dhe akteve të brendshme të kompanisë. Asnjë kandidat i eliminuar nuk kishte paraqitur ankesë, prandaj ndërhyrja e Inspektoratit të Punës ishte e paarsyeshme.
Mirëpo, Gjykata Komerciale, Dhoma e Shkallës së Dytë nuk i pranoi këto pretendime. Në arsyetimin e saj, gjykata thekson se vendimi i Inspektoratit është marrë në bazë të ligjit dhe brenda kompetencave ligjore, duke sqaruar se Inspektorati i Punës, në cilësinë e organit mbikëqyrës, ka pasur të drejtën ligjore të shqiptojë masë ndëshkimore në përputhje me nenin 94 të Ligjit të Punës dhe nenin 2 të Ligjit për Inspektoratin e Punës.
Kolegji gjyqësor vlerësoi se gjykata e shkallës së parë ka zbatuar drejt ligjin dhe ka vlerësuar saktë provat, duke theksuar se asnjë nga pretendimet ankimore të KOSTT-it nuk kishte ndikim në vërtetimin e gjendjes faktike.
Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale arriti në përfundimin se aktgjykimi i shkallës së parë është i qartë, i argumentuar dhe në harmoni të plotë me arsyetimin ligjor.
Sipas Gjykatës, KOSTT ka vepruar në kundërshtim me nenet 49 dhe 53 të Ligjit të Punës, meqë ka pranuar kandidatë që nuk plotësonin kriteret për praktikë profesionale. Për këto arsye, ankesa e KOSTT-it u refuzua si e pabazuar, ndërsa vendimi i shkallës së parë u vërtetua në tërësi.
Gjykata nënvizon se përdorimi i statusit të praktikantit si formë e punësimit të përhershëm apo të zgjatur bie ndesh me qëllimin e ligjit, dhe se çdo shkelje në këtë drejtim justifikon masa ndëshkimore administrative.

















