“Unë 49, ti 51%”/ Ademi rrëfen marrëveshjen e parë me Pacollin për aeroportin e Vlorës

E publikuar: 12/11/2025 23:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këtë të mërkurë, 12 nëntor, në studion e Opinion ishte biznesmeni Valon Ademi, për të dhënë versionin e tij lidhur me konfliktin mbi mbi aeroportin e Vlorës, që tashmë është edhe çështje juridike.

Fillimisht, Ademi rrëfeu historinë e familjes së tij, që u zhvendos nga Kosova në Shqipëri në vitin 1990.

-Ju jeni person, ose profil biznesi shumë pak i njohur në Shqipëri, prej sa kohësh drejtoni kompaninë?

Ademi: Ne kemi një biznes familjar që daton që në vitet ’80 në Kosovë dhe në vitin ’90 u transferuam për shkak të përndjekjes që i bëhej tim eti. Në atë periudhë ai merrej me tregti, në fillim të viteve ’90, im atë përndiqej nga Serbia dhe ne zhvendosemi në Tiranë. Edhe këtu filloi të merrej me biznes, mbaj mend që sillte soba të vajgurit nga Turqia, deri në vitin 1994. Në atë vit, futet në biznesin e ndërtimit, projekti i parë ishte Linza, në Dajt. Kompania jonë ishte nënkontraktori kryesor i Kharafi Group në atë kohë. Pastaj vazhduam me Ambasadën amerikane, Sheratonin, në 1997.

Pastaj nisëm edhe me ndërtim privat, në 1999-ën kemi përfunduar një pallat te Fakulteti i Shkencave, një pallat 16-katësh. Jemi marrë me rrugë, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Me biznes shkuam në Kosovë pas lufte! Edhe me ndërtim të lartë, edhe me ndërtim të ulët, ne hapëm fabrika për shitjen e betonit, guroren.