SBASHK merr pjesë në protestën e Sindikatës së RTK: S’përjashtohet mundësia që të mobilizohet e gjithë anëtarësia

E publikuar: 12/11/2025 13:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, ka shprehur përkrahje për Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së dhe të gjithë punëtorët e këtij mediumi publik. Nga SBASHK është thënë se gjendja financiare në RTK është e papranueshme dhe përben cenim të drejtpërdrejt të dinjitetit të punëtorit.

SBASHK-u i ka bërë thirrje urgjente Qeverisë në detyrë që të gjejë zgjidhje dhe të alokojë mjetet e nevojshme për pagesën e pagave, jo vetëm për muajin tetor, por edhe për muajt në vijim.

Më tej, në komunikatë bëhet e ditur se kryesia e SBASHK’ut do të marrë pjesë në protestën e nesërme, duke mos përjashtuar mundësinë që nëse situata vazhdon njëjtë, atëherë të mobilizohet edhe anëtarësia e saj.

Komunikata:

SBASHK përkrah fuqishëm protestën e Sindikatës së punëtorëve të RTK-së (SPERTK)

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) shpreh përkrahjen e plotë dhe të palëkundur për Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) dhe të gjithë punëtorët e këtij mediumi publik, të cilët përmes dialogut e veprimeve sindikale po kërkojnë një të drejtë themelore – sigurimin e pagave të tyre të merituara.

SBASHK-u ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar në RTK dhe shpreh shqetësimin e thellë për faktin se më 12 nëntor 2025, punëtorët e RTK-së ende nuk kanë marrë pagat e muajit tetor. Kjo gjendje është e papranueshme dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit të punëtorit.

SBASHK-u i bën thirrje urgjente Qeverisë në detyrë që të gjejë menjëherë zgjidhje dhe të alokojë mjetet e nevojshme për pagesën e pagave, jo vetëm për muajin tetor, por edhe për muajt në vijim, në mënyrë që të garantohet funksionimi normal i RTK-së dhe mirëqenia e punëtorëve të saj.

Po ashtu, SBASHK-u shpreh indinjatën e thellë ndaj çdo forme presioni që, sipas raportimeve, po ushtrohet mbi punëtorët e RTK-së. U bëjmë apel drejtuesve të këtij institucioni publik që të ndalojnë menjëherë çdo presion ndaj të punësuarve dhe të bëhen zëri i tyre për kërkesën më bazike – pagën për punën e ndershme që kryejnë çdo ditë në shërbim të publikut.

Në shenjë solidariteti e përkrahjeje sindikale, Kryesia e SBASHK-ut do të marrë pjesë në protestën e nesërme të organizuar nga Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së. Gjithashtu, SBASHK-u nuk përjashton mundësinë që, nëse kjo situatë vazhdon, të mobilizojë të gjithë anëtarësinë e saj – nga çerdhet e deri në universitete – për t’u solidarizuar me kolegët e RTK-së, sepse solidariteti ndërmjet punëtorëve është shtylla më e fortë e lëvizjes sindikale. SBASHK-u do të jetë gjithmonë në krah të çdo punëtori që lufton për dinjitetin dhe të drejtën e tij.