Vuçiq refuzohet nga nëna e viktimës së Novi Sadit për takim: Më gënjeu, nuk e do popullin e tij, po përfiton nga dhimbja ime

E publikuar: 11/11/2025 08:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti serb Aleksandar Vuciq ftoi në takim Dijana Hrka, nënën e Stefan Hrkës – të riut që humbi jetën nga rrëzimi i mbulesës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit – e cila prej ditësh është në grevë urie.

Sipas fjalëve të saj, ata kanë biseduar në telefon, por ajo refuzoi ftesën për takim, duke kërkuar që institucionet përkatëse të hetojnë kush hodhi mjetin shpërthyes pranë çadrës së saj.

Hrka e akuzon Vuciqin se po përpiqet ta mashtrojë dhe ta përdorë politikisht dhimbjen e saj, ndërsa kërkon vetëm drejtësi për vdekjen e të birit dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Më pas, ajo e akuzoi hapur Vuciqin se e kishte gënjyer.

“Siç e keni parë nga njoftimi i presidentit Vuciq, ai më ftoi për një bisedë te ai, por mendoj se nuk ka nevojë të shkoj. Ai vetë tha se nuk është kompetent për prokurorinë, as për asgjë nga ato që unë kërkoj. Nëse nuk është kompetent, çfarë të kërkoj te ai? Për çfarë të flasim pas një viti? Ai po mundohet të fshehë atë që ndodhi sot në mëngjes, shpërthimin pranë çadrës sime”, tha ajo.

Sipas Nova.rs, Hrka kërkon që institucionet të bëjnë punën e tyre dhe të zbulojnë kush e hodhi mjetin shpërthyes.

“Ai (mjeti) erdhi nga Cacilenda, nga njerëzit e tij të paguar. Nuk mund të hyjë kushdo në atë park, e dimë të gjithë. Dua që organet kompetente të zbulojnë kush e hodhi atë mjet, jo të flasim për Vuciqin dhe për bisedën time me të. Kjo ishte një sulm ndaj meje, ndërsa flija. Askush nuk reagoi, asnjë institucion nuk u deklarua, dhe ai më thërret në takim! Për çfarë të flasim? Ai thotë se nuk është kompetent, ndërsa policia nuk ka bërë asgjë. Pse nuk doli askush në terren?”, shtoi ajo.

Dijana Hrka i është drejtuar hapur presidentit Vuciq duke i thënë se nuk do të shkojë në takim dhe nuk e intereson më:

“Ke pasur një vit kohë. Nëse nuk je kompetent, pse të vij? Për çfarë të flasim? Për të më gënjyer, ashtu siç më gënjeve një vit të tërë? Janë vrarë gjashtëmbëdhjetë njerëz, askush s’është arrestuar, studentët po i ndalojnë çdo ditë. Dhe ai më thotë se rreth meje ka njerëz të paguar. Këtu nuk ka askënd që paguhet! Nëse do të flasë, le të shpallë zgjedhje, le të lirojë studentët dhe le të fillojë ndërtimin e mbulesës. Për çfarë po flet ai? Më ka ardhur në majë të hundës, nuk do të takohem me të,” tha ajo.

Më pas, ajo e akuzoi hapur presidentin se e kishte gënjyer. “Për shpërthimin nuk është deklaruar askush. Për çfarë të flas me të, kur më gënjeu që në fillim? Po, po e them hapur: presidenti i Serbisë gënjen dhe nuk e do popullin e tij. Ai më lutet ta ndërpres grevën e urisë, por pse nuk e lute Tomislav Nikoliqin ta ndalonte grevën e urisë kur ishte në stiropor?” – përfundoi ajo.