Procesi i votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të 18 komunave ka nisur me kohë dhe në të gjitha qendrat e votimit, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Procesi i votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të 18 komunave ka nisur me kohë dhe në të gjitha qendrat e votimit, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se materiali zgjedhor dhe fletëvotimet janë shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit.
Raundi i dytë i votimit për zgjedhjet lokale po zhvillohet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
“Në orët e hershme të ditës së sotme, materiali zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet, janë shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit. Gjithashtu njoftojmë se, duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga komisionet komunale të zgjedhjeve, procesi i votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të 18 komunave ka nisur në të gjitha qendrat e votimit që u takojnë këtyre komunave. Raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot”, tha ai.
Sipas listës së votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar në 18 komuna është 1 milion e 316 mijë e 672 votues.
Procesi i votimit zhvillohet në 507 qendra votimi me gjithsej 1,628 vendvotime, të cilat janë të hapura për të mundësuar votimin e rregullt, dhe 18 qendra votimi me 20 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.


















