Aktakuzë ndaj ish-Kryeprokurorit Dërguti dhe tre të tjerëve për ndikim të paligjshëm dhe moslajmërim

E publikuar: 06/11/2025 18:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur më 3 nëntor 2025 aktakuzë ndaj ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, si dhe ndaj Hasan Morinës, Liridon Fandajt dhe Sali Dakajt, për veprat penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Sali Dakaj akuzohet se më 24 nëntor 2019 i ka dhënë 150 mijë euro Hasan Morinës, me qëllim që ky i fundit të ndikonte te vendimmarrja e gjykatësit Latif Xhemaili për një lëndë përmbarimore.

Marrëveshja thuhet se ishte koordinuar nga Liridon Fandaj. Për të gjitha veprimet, Dërguti, sipas aktakuzës, ishte në dijeni, por nuk e lajmëroi rastin tek organet kompetente.

Morina, Fandaj dhe Dakaj akuzohen për “Ushtrim ndikimi”, ndërsa Dërguti për “Moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Aktakuza përshkruan takime dhe diskutime që janë zhvilluar në Prishtinë, Suharekë dhe Prizren, ku është kërkuar dhe dhënë shuma e parave, si dhe koordinimi mes të akuzuarve për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatësit.

Gjatë hetimeve, Dërguti ka arritur marrëveshje për pranim fajësie, dhe Gjykatës i është rekomanduar të shqiptojë dënim njëvjeçar me kusht.

I kontaktuar nga media, Dërguti tha se çdo deklaratë do ta bëjë në gjykatë, ndërsa ish-gjykatësi Latif Xhemaili siguroi se nuk ka pasur ndërhyrje në vendimmarrjen e tij.