Musliu shpërthen ndaj Bashës: Deklaratë fyese, të shkarkohet menjëherë pas ofendimit ndaj viktimave të Kosovës

E publikuar: 05/11/2025 18:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, i cili kishte thënë se “rasti i Astrit Deharit është më i rëndë se ajo që kanë vuajtur shqiptarët nën Millosheviqin”.

Përmes një postimi në Facebook, Musliu e ka quajtur këtë deklaratë skandaloze, fyese dhe të papranueshme për çdo qytetar të Kosovës që ka përjetuar vuajtjet e luftës, shkruan Insajderi.

“Të krahasosh një rast tragjik individual me terrorin shtetëror, masakrat, dhunimet dhe dëbimet që Serbia e Millosheviqi ushtruan mbi mijëra shqiptarë, është një fyerje e rëndë ndaj kujtimit të viktimave”, ka shkruar Musliu.

Deputetja e PDK-së ka shtuar se një kryetar Kuvendi që bën deklarata të tilla “ose nuk e kupton peshën e fjalës publike, ose e përdor qëllimisht për të ndezur emocione dhe për të mbuluar paaftësinë politike”.

Ajo e ka cilësuar këtë deklaratë si vazhdimësi të punimit shkencor kundër UÇK-së nga Basha, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të tij nga pozita.