​Tahiri për koalicionin LDK-VV në Vushtrri: Nuk e mora kokë në vete, kisha lejen e Abdixhikut

E publikuar: 24/10/2025 22:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Xhafer Tahiri

Xhafer Tahiri

Xhafer Tahiri është deklaruar lidhur me koalicionin e kësaj partie me Lëvizjen Vetëvendosje në Vushtrri para garës së balotazhit në këtë komunë më 9 nëntor.

Tahiri sonte në TV Kanal 10 ka thënë se kryetari Lumir Abdixhiku ka qenë i njoftuar paraprakisht për koalicionin.

“Për ta nënshkruar këtë marrëveshje, fillimisht jam konsultuar me themeluesit e degës së LDK-së në Vushtrri, jam konsultuar me shefin e degës, me shefin e shtabit, jam konsultuar me nënkryetarët e degës, sekretarët, asamblistët e zgjedhur dhe të gjithëve ua kam shpjeguar se këtë marrëveshje jam duke e bërë dhe për këtë e kam lejen e kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku. Nuk e kam bërë këtë marrëveshje kokë me vete dhe as për interes personal”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, kreu i LDK-së i kishte kërkuar Tahiri edhe për arritjen e koalicionit me Vetëvendosjen në Suharekë, e cila po ashtu do të jetë në garën e balotazhit.

Ndryshe, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë se koalicioni për Vushtrrinë është bërë pa lejen e partisë.

Kujtojmë, Ferit Idrizi nga PDK-ja hyn në garë më 9 nëntor për kreun e Vushtrrisë me epërsinë prej më shumë se 4400 votash nga raundi i parë përballë Sylejman Mehollit nga Lëvizja Vetëvendosje. Xhafer Tahiri nga LDK-ja u rendit i treti me 19.84% ose 6.051 vota.