Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti për Komunikacionin Rrugor për Rajonin e Ferizajt dhe stacioni policer në Shtime, për një periudhë prej 6 ditësh, nga 17 tetori deri me datën 23 tetor, kanë hasur në pesë persona të cilët kanë shkelur në mënyrë brutale kufizimet e shpejtësisë në disa prej rrugëve të këtij rajoni.
Katër prej tyre janë nga mosha 21 deri në 23 vjeç, derisa shoferi i katërt është i moshës 40 vjeçare.
Më 17 tetor 2025, në rrugën “Rexhep Bislimi”, Policia njofton se një shofer 21 vjeçar është kapur duke lëvizur me 117 km/h në zonën me kufizim 40 km/h. I njëjti s’është bindur as urdhrit të Policisë për dalje, dhe me datën 22 tetor është ndëshkuar me 800 euro gjobë.
Po ashtu më 23 tetor 2025, në rrugën “Brahim Ademi”, një shofer 22 vjeçar u kap me 143 km/h në zonën me kufizim 50 km/h. Ndaj tij është shqiptuar 400 € gjobë, 4 pikë negative dhe ndalim drejtimi për 9 muaj.
Ndërkohë në fshatin Babush, një shofer 40 vjeç është ndalur pasi po lëvizte me shpejtësi 161 km/h dhe rezultoi me 0.85 promila alkool . I njëjti është ndëshkuar me 500 € gjobë, 5 pikë negative dhe ndalim patente për 6 muaj.
Në qytetin e Shtimes, në rrugën “Adem Jashari “, më 21 tetor 2025, një shofer 23 vjeçar është kapur duke lëvizur me shpejtësi 126 km/h në zonën me kufizim 50 km/h. I njejti është ndëshkuar me 300 € gjobë, 3 pikë negative dhe heqje patente për 3 muaj.
Ndërsa më 23.10.2025, në rrugën “Tahir Sinani” në Shtime, një shofere 23 vjeçare me masë mbrojtëse aktive u ndëshkua me 500 € gjobë, 5 pikë negative, vazhdim të masës edhe për 6 muaj dhe iu sekuestrua automjeti.

















