Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është pritur nga homologu i tij i Britanisë së Madhe Keir Starmer në Londër, ku do të zhvillohet Samiti i Procesit të Berlinit.
Në samit janë të pranishëm 6 liderët e Ballkanit Perëndimor, në mesin e tyre edhe kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti. Në fokus të samitit do të jetë bashkëpunimi rajonal, rritja ekonomike dhe migrimi.
Pas mbërritjes së liderëve do të ketë zhvillohet edhe foto familjare. Më pas do të mbahet seanca plenare e samitit, ku Rama do të mbajë fjalën e tij në dy panele të këtij samiti – mbi “Ambicien dhe vizionin strategjik” dhe “Rritjen, migracionin dhe sigurinë”.
Në punimet e samitit do të marrin pjesë liderë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, qeveritë partnere të Procesit të Berlinit – Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Polonia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar; përfaqësues të shoqërisë civile, rinisë dhe biznesit nga Ballkani Perëndimor; institucionet e BE-së – Komisioni Evropian (KE), Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe Presidenca e Këshillit; institucionet financiare ndërkombëtare si dhe Organizatat rajonale.

















