Behgjet Pacolli reagon ashpër: “Komplot i koordinuar kundër meje në Shqipëri!”

E publikuar: 19/10/2025 00:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër përmes një postimi publik lidhur me sulmet dhe akuzat e fundit që, sipas tij, po bëhen në mënyrë të koordinuar ndaj tij në Shqipëri. Ai shpreh shqetësimin se emri dhe dinjiteti i tij po përbalten në mënyrë të padrejtë, pikërisht në një moment kyç, kur ndërtimi i aeroportit në Vlorë është drejt përfundimit.

“Çfarë është ky komplot i koordinuar në Shqipëri kundër emrit tim, pikërisht tani që ndërtimit të aeroportit po i vjen fundi?!”, shkruan Pacolli. Ai hedh poshtë çdo akuzë dhe thekson se nuk ka dhënë intervista apo inicuar procese gjyqësore që mund të kenë sjellë këtë valë reagimesh publike.

Sipas tij, sulmet janë të orkestruara nga palë të tjera dhe se ai vetë nuk është ftuar nga askush për të dhënë dëshminë apo sqarimet e tij. “Nuk jam më gati për lëshime për atë që është e imja, por nuk do të pranoj kurrë asgjë që nuk më takon”, thekson ai.

Pacolli nënvizon se investimi i tij në Shqipëri është bërë me fonde krejtësisht private, të dokumentuara dhe pa përfshirë asnjë qindarkë publike. “Kam dhënë kontributin tim të ndershëm, me qindra miliona euro investime… çdo gjë ka ardhur nga puna, besimi dhe sakrifica ime”, shkruan ai më tej.

Në fund të reagimit, ai bën të qartë se do t’i përballojë këto “sulme të organizuara” me të vërtetën dhe faktet në dorë, ndërsa shpreh dëshirën që të lërë një trashëgimi të denjë në Vlorë, edhe pse, siç thotë, është i vetëdijshëm që ky investim vështirë se do të kthehet pas.