Protesta e madhe në Tiranë, Ali Ahmeti: UÇK ishte partnere e NATO-s, Amerikës dhe Evropës

E publikuar: 17/10/2025 18:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-eprori i UÇK-së nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti deklaroi se Gjykata Speciale u themelua për të zbardhur “pretendimet për trafikim të organeve”, teksa shtoi se çdo gjë ishte një trillim propagandues.

“Sot të gjithë jemi dëshmitarë se aktakuza s’ka të bëjë me trafikim organesh, por është një riciklim akuzash ndaj Ramushit, Fatmirit e të tjerëve. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare për luftë dhe asnjëherë nuk ka shkelur ligjet e luftës. Kjo u dëshmua nga të gjitha gjykimet e deritashme, edhe nga dëshmitë amerikane, britanike në Hagë. Gjykimi shfaqi botërisht që UÇK ishte partner i NATO-s, Amerikës dhe Evropës”, deklaroi kreu i BDI-së.

Lirimi i ish-krerëve të UÇK-së, siç u shpreh Ahmeti, duhet të bëhet pa asnjë vonesë, raporton KosovaPress.

“Sot jemi bashkë në Tiranë, Prishtina e Shkupi dhe kështu qofshim përherë. Nga sheshi “Skënderbej” në Tiranë dhe nesër nga sheshi në Shkup po ngremë zërin për drejtësi, për pragun e shtëpisë, për liri dhe demokraci”, tha Ahmeti.

Protesta në Tiranë po mbahet në organizim të shoqatave të dala nga lufta. Protesta të ngjashme në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë mbajtur edhe më 7 gusht në Prishtinë dhe 12 shtator në Hagë.