Ekskluzive: Komercialja rrëzon vendimin e Ministrisë së Mjedisit për refuzimin e lejes mjedisore për hidrocentralin “Radoniqi 2”

E publikuar: 08/10/2025 07:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Komerciale ka lënë të hapur mundësinë për ndërtimin e një hidrocentrali në Komunën e Deçanit. Kompanisë “Fidani Water Energy” Sh.p.k, Ministria e Ambientit ia kishte refuzuar kërkesën për ndërtimin e hidrocentralit, ndërsa cështja kishte shkuar tek organet e drejtësisë, ku shkalla e parë i ka dhënë të drejtë ministrisë për refuzimin që ka bërë, mirëpo shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale e ka rrëzuar tërësisht çështjen.

Vendimi i Komerciales e kthen edhe një herë procesin e gjatë ligjor në binar tjerë. Kompania dhe ministria që nga viti 2015 janë duke kaluar nëpër instanca të ndryshme të gjykatave dhe çështje administrative për ta zgjedhur kontestin, raporton Infosot

Vendimi 25/1502 i Ministrisë së Ambientit më më 24 mars 2025, që e ka siguruar Infosot, ia refuzoi kërkesën e kompanisë “Fidani Water Energy” për pajisje me pëlqim mjedisor lidhur me ndërtimin e hidrocentralit “Radoniqi-2”, që planifikohej të ndërtohej në zonën e Gllogjanit të Deçanit..

Në arsyetimin e saj, ministria ishte mbështetur në një sërë dispozitash ligjore, përfshirë Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, duke theksuar se ndërtimi i hidrocentralit do të binte brenda kufijve të zonës së mbrojtur të ujor sipërfaqësor, Akumulimit të Radoniqit.

Sipas Ministrisë, projektet e tilla, në përputhje me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 09/127 të datës 24 prill 2013, nuk lejohen në zonën e dytë mbrojtëse, pasi mund të rrezikojnë cilësinë e ujit gjatë ndërtimit dhe funksionimit të mëvonshëm të hidrocentralit.

Në dokument thuhet se “ndërtimi i hidrocentralit mund të rrezikojë cilësinë e ujit si gjatë fazës së ndërtimit, ashtu edhe pas fazës së ndërtimit, si pasojë e aksidenteve të mundshme, rrjedhjeve të lëndëve djegëse, lubrifikantëve apo dëmtimeve të infrastrukturës hidraulike”.

Për këtë arsye, MMPHI kishte refuzuar kërkesën e kompanisë, duke i dhënë mundësi të ankohet në Gjykatën Themelore përmes një padie administrative brenda afatit 30-ditor.

Megjithatë, më 19 qershor 2025, Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhoma e Shkallës së Dytë, me numër të lëndës K.DH.SH.II.nr.759/25, mori një vendim që e ndryshon rrënjësisht rrjedhën e këtij rasti.

Kolegji gjyqësor, i përbërë nga gjyqtarët Dren Rogova, Ramush Bardiqi dhe Krenar Berisha, vendosi të aprovojë ankesën e kompanisë “Fidani Water Energy” dhe të prishë aktvendimin e Gjykatës Komerciale, Dhomat e Shkallës së Parë, duke kthyer lëndën për rivendosje.

Në arsyetimin e saj, Gjykata e Shkallës së Dytë konstatoi se gjykata e shkallës së parë kishte bërë “shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore”, duke e hedhur poshtë padinë e kompanisë për shkak të asaj që kishte konsideruar si “gjyqëvarësi” (që një çështje e njëjtë ishte tashmë e gjykuar).

Por, sipas Gjykatës së Shkallës së Dytë, në shkresat e lëndës nuk kishte asnjë provë apo vendim tjetër që të dëshmonte se çështja ishte gjykuar më parë, prandaj arsyetimi i shkallës së parë ishte i pabazuar.

Kolegji theksoi gjithashtu se padia e kompanisë ishte ngritur për shkak të mosveprimit të organit administrativ, pra Ministrisë së Mjedisit, e cila sipas aktgjykimit të mëparshëm të Gjykatës Themelore (A.nr.908/16, datë 26.02.2019), kishte qenë e obliguar të rishqyrtonte kërkesën e kompanisë dhe të nxirrte një vendim të ri në përputhje me ligjin.

“Pavarësisht anulimit të një vendimi administrativ, çështja me padi ishte ngritur për të vepruar pikërisht për shkak të mosveprimit të organit administrativ”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Komerciale, Dhoma e Shkallës së Dytë.

Pas këtij vendimi, lënda i është kthyer për rigjykim Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, e cila duhet ta rishqyrtojë nga fillimi, të kërkojë dokumentacionin e plotë të aktit administrativ të kontestuar dhe të përcaktojë nëse vërtet ekziston ndonjë procedurë e ngjashme e mëparshme për të njëjtin vendim.

Kjo do të thotë se vendimi i Ministrisë për refuzimin e lejes mjedisore nuk është më përfundimtar, dhe çështja mbetet e hapur deri në një vendim të ri gjyqësor.

Ndërtimet e hidrocentraleve kanë zgjuar interesim të madh të OJQ-ve për shkak të ndjeshmërisë mjedisore që lidhet me zonën e akumulimit të ujit të Radoniqit, një nga rezervuarët kryesorë të ujit të pijshëm për qytetin e Gjakovës dhe rrethinën.

Ndërkohë, Ministria e Mjedisit ka mbrojtur qëndrimin e saj, duke argumentuar se çdo ndërtim në këtë zonë do të përbënte rrezik për cilësinë e ujit, ndërsa kompania pretendon se projekti i saj është teknikisht i sigurt dhe se janë respektuar të gjitha standardet mjedisore.